Vetëm pak ditë na ndajnë nga fillimi i Kreshmës së Madhe. Uroj të udhëtojmë së bashku përgjatë gjithë kësaj periudhe parapërgatitore, derisa të arrijmë tek Pashka e Madhe. Cili është qëllimi ynë? Të rritemi shpirtërisht duke ecur drejt Krishtit, dhe të jetojmë një jetë të përqendruar tek Zoti, duke e pasur Atë si bosht dhe themel.
Do të doja të ndaja me ju një përrallë nga Kongo.
Në xhunglën e thellë të Kongos kishin prerë e krasitur disa pemë. Për herë të parë, një rrip toke që rrinte gjithmonë në errësirë, pa dritën e diellit. Befas, në atë vend zunë të mbinin lloj lloj bimësh, madje disa prej tyre ishin kaq të veçanta sa askush nuk i kishte parë më parë. Sa të bukura që ishin! Askujt nuk ia priste mendja që aty do të mbinin ndonjëherë bimë të tilla. Ai vend kishte qenë aq i errët, aq i shëmtuar e i pakëndshëm.
E njëjta histori vlen edhe për ne. Na ndodh t’i fshihemi dritës së pashtershme të Perëndisë. I lemë mëkatet dhe zakonet e këqija të na mbulojnë, ashtu si pemët e dendura e kishin mbuluar të gjithë tokën, duke e lënë në errësirë për shumë kohë. Vetë ne e pengojmë dritën e Perëndisë që të depërtojë brenda nesh. Por ja tek vjen periudha e Kreshmës së Madhe, si një thirrje për pastrim të vetvetes, për të dëgjuar zërin e Zotit dhe për t’u fokusuar tek Ai.
Çdo javë do të mësojmë se si ta jetojmë besimin tonë, duke mësuar më tepër rreth kreshmës, mësimeve të Ungjillit, jetët e shenjtorëve dhe shërbesat, që nga e Diela e Orthodhoksisë e deri tek e kremtja e Ungjillëzimit, nga himni Akathist e deri tek Java e Madhe.
Do mundohem t’ju ndihmoj që t’ mësoni familjes dhe fëmijëve tuaj mbi të gjitha javët e Kreshmës së Madhe. Do të vendosim një synim për çdo javë: pyetje, të cilat mund t’i diskutoni në familje, punëdore që t’i ndihmojë fëmijët të angazhohen e të mësojnë, si dhe receta kreshmore.
Mbrëmjen e së dielës nisim Kreshmën e Madhe. Si fillon rrugëtimi ynë? Me Mbrëmësoren e Faljes. Është momenti i duhur të shkojmë në kishë bashkë me familjet tona, e t’i kërkojmë falje njëri-tjetrit.
Përse e bëjmë këtë? Në dukje ngjan shumë e lehtë, por personalisht mua më vështirëson pak kjo pjesë. Siç mund t’ju kujtohet nga emisionet e mëparshme, kur isha e vogël, në familjen tonë nuk e praktikonim shumë faljen. Por gjithçka ndryshoi për mua që kur njoha tim shoq dhe familjen e tij, dhe mësova sa shumë rëndësi ka falja për shpirtrat dhe mendjet tona.
Sa prej nesh kanë mbajtur ndonjëherë një peng në zemër duke thënë: “Kurrë nuk kam për ta harruar këtë që bëre!” Ndodh që të jetë diçka që vazhdimisht na turbullon mendjet dhe zemrat, madje mund të arrijë deri aty sa të zbehë gëzimet tona e të na shfaqet si sëmundje në trup.
Të kërkosh falje nuk ka ndonjë gjë të vështirë: “Ndjemë, të lutem”. Mund të jetë e lehtë si shprehje, por jo si ndjesi. Ndjesa nënkupton se duhet të jemi të qartë për gabimin që kemi bërë, apo fjalën e gabuar që kemi thënë. Por sapo kërkojmë falje, ndiejmë sikur na hiqet një barrë e rëndë nga shpatullat.
Ndonjëherë, kur i kërkoj Moisiut të kërkojë të falur për ndonjë fjalë apo veprim të gabuar, atij i duhet pak kohë derisa ta zbatojë këtë porosi. Por padyshim që ndjehet mirë pasi kërkon falje dhe pret që edhe ne, si prindër, të kërkojmë falje për gabimet që mund të bëjmë.
Një sfidë personale e imja, që faktikisht më ka vështirësuar shumë, ka qenë se nuk arrij të pranoj se kam thënë apo kam bërë diçka të gabuar, në momentin që tjetri e merr për keq. Gjithmonë them se nuk mbaj asnjë përgjegjësi për mënyrën se si të tjerët i kuptojnë ato çka u them. Por jam duke kuptuar se mënyra se si shprehem, qoftë toni, sjelljet apo mimika, influencojnë shumë në mesazhin që përcjell.
Kjo gjë më pengon dhe nuk më le të kërkoj ndjesë, pasi në mendjen time nuk e konsideroj si gabimin tim, por të tjetrit që më ka keqkuptuar.
Jam duke u përpjekur ta vë poshtë këtë mendim, dhe mendoj se kjo do të më ndihmojë në ecurinë shpirtërore, në rrugëtimin drejt Perëndisë.
Si mund t’ia mësojmë fëmijëve përulësinë?
Ka një histori shumë të bukur për jetën e shën Dionisit, të cilën do të doja ta ndaja me ju. A e dinit që atë e quanin edhe “Shenjtori i Faljes”?
Shën Dionisi lindi më 1547 në ishullin Zakinthos, në Greqi. Pasi përfundoi studimet në Teologji me rezultate të shkëlqyera, u qeth murg 1568 e më pas u hirotonis prift më 1570. Më 1578 e zgjodhën si drejtues shpirtëror të një manastiri në Zakinthos.
Befas, një ditë, në derën e qelisë iu shfaq një burrë i panjohur, i cili iu lut e iu përgjërua që ta fshihte, pasi po e ndiqnin dhe donin ta vrisnin. Kur shenjti e pyeti se përse i ishin vënë pas, atij iu desh të pranonte se kishte vrarë dikë. Atij as që i shkonte ndër mend se personi që kishte vrarë, ishte pikërisht vëllai i shenjtorit, i quajtur Kostandin.
Ky detaj nuk mbeti pa u zbuluar, dhe megjithëse Shën Dionisi u hidhërua jashtë mase, përsëri nuk ia dorëzoi atyre që e kërkonin, por përkundrazi, e fshehu dhe e mësoi, gjë që solli pendimin e sinqertë të vrasësit.
Nuk kaluan shumë kohë, dhe ai që ishte dikur keqbërës u be murg në të njëjtin manastir.
Shën Dionisi na shërben si shembull i faljes së gjithë padrejtësive që na janë bërë, sado të mëdha qofshin këto.
Veprimi i tij dhe dashuria e madhe për të afërmin na bëjnë të kemi admirim për të.
Lind pyetja: po ne si mund ta praktikojmë faljen në shtëpitë tona?
Një mënyrë për ta realizuar këtë është duke i kërkuar falje të gjithëve përpara se të marrin Kungatën e Shenjtë.
Një mënyrë tjetër është të kërkuarit ndjesë për çdo fjalë a veprim të gabuar, pasi përfundojmë lutjet e Pasdarkës.
Nuk është e lehtë të kërkosh falje, apo edhe të pranosh ndjesën e dikujt. Për të dyja këto nevojitet të kemi përulësi. Megjithatë, nuk ka asgjë që nuk mësohet nëse e praktikojmë vazhdimisht.
Nuk mundemi dot të mos biem në mëkat a të mos gabojnë, kjo pasi kemi trashëguar prirjen për mëkat nga Eva dhe Adami. Por nuk na pengon asgjë të ecim sipas fjalëve të Zotit Krisht, që themi në Lutjen Zotërore: “Falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë.”
Punëdore: Lista e lutjeve përgjatë 40 ditëve
Do të doja të ndaja me ju këtë punëdore të bukur, të cilën disa prej jush mund ta kenë parë edhe tek revista “Gëzohu” e muajit Mars. Nëse mundeni, do ju ftoja ta blinit këtë revistë, që të mund të krijojmë listën e lutjeve.
Përgjatë periudhës së Kreshmës së Madhe, do të doja që me anë të lutjeve të mund të fokusoheshim të gjithë si familje tek Perëndia. Në fillim të vitit fillova të mendoja se si mund të krijonim një listë të tillë lutjesh, ku të përfshinim dhe Moisiun.
Mendova për këtë lloj liste të veçantë, që do t’i japë mundësi Moisiut të lutet për një person çdo ditë të kreshmës.
Ai do më thotë të gjitha emrat që mendon, qoftë nga rrethi familjar, miq apo anëtarë të famullisë sonë, dhe unë do t’i shënoj. Në revistën “Gëzohu” do të shihni se ka nga një katror të vogël për çdo ditë të Kreshmës. Në secilin prej tyre do të vihet nga një emër. Kishte raste kur Moisiu donte të shënonte më shumë se një emër, apo edhe përsëriste të njëjtin person disa herë. Të gjitha këto mundësi lejohen.
Pasi vendosim nga një emër në çdo kuti, vijmë tek çështja se si të lutemi për këta persona.
Disa pyetje lidhur me lutjet, të cilat i zhvilloj me kënaqësi me tim bir, janë:
Ç’është lutja? Lutja është kur ne komunikojmë me Perëndinë, dhe kur Ai komunikon me ne.
Kur mund të lutemi? Mund të lutemi kudo dhe në çdo kohë! Perëndia na dëgjon gjithnjë. Kudo mund të lutemi, qoftë kur jemi në shtrat, në shkollë, në shtëpi, duke luajtur dhe padyshim në Kishë.
Gjatë periudhës së Kreshmës së madhe nevojitet të përpiqemi të lutemi edhe më shumë, t’i flasim Zotit çdo ditë, por edhe ta dëgjojmë po ashtu.
Një ndër mënyrat për të komunikuar me Perëndinë më shpesh, është duke u lutur për të gjithë ata që njohim. Nuk është e thënë që ata të jenë të besimit orthodhoks, madje as të krishterë. Mund të lutemi për çdokënd, pa kufizim, dhe Perëndia do të na dëgjojë.
Por si mund të lutemi për një person? Mund të themi edhe thjesht : “Mëshiro, o Zot (emrin e personit)”. Nëse qëllon që personin e njeh mirë apo di se çfarë e mundon, mund të bëni një lutje më personale. (“Mëshiroje, o Zot, Rafaelën. Ajo ka një provim sot dhe lutem që të mund të përqendrohet dhe të dalë sa më mirë. Amin”.)
Duhet të mbajmë ndër mend se, kur i drejtohemi Perëndisë, nevojitet të jemi gjithnjë të sinqertë, e të flasim me fjalë zemre. Gjithashtu, kujtoni se mund të luteni edhe për personat me të cilët mund të keni patur probleme apo keqkuptime të ndryshme, apo edhe që keni prerë komunikimin. Lutja jonë duhet t’i përfshijë të gjithë, qoftë të mirë apo të lig, gjithmonë duke pasur Perëndinë në mendje.
Kur t’i luteni Zotit për personat e listuar, mos harroni të qëndroni dhe pak minuta në heshtje, për të dëgjuar se çfarë do t’ju thotë Ai. Lutja mund të jetë edhe në formë bashkëbisedimi. Mundohuni të dëgjoni zërin e Tij në jetën tuaj.
Recetë: “Zonja Kreshmë”
Gjëja e fundit që do doja të ndaja me ju është një recetë për zonjën Kreshmë. Mund ta keni parë shpesh nëpër rrjetet sociale apo edhe mund ta keni gatuar. Megjithatë, për ne është hera e parë që ne e provojmë ta bëjmë këtë gjë.
Le të themi se është një lloj biskote, por që nuk hahet. Përbërësit e kësaj recete nuk janë për t’u ngrënë. Do t’ju tregoj pak më tepër rreth saj që të mund të më kuptoni .
Kohë më parë, kur nuk ekzistonin kalendarët dhe kur njerëzit donin të gjeni një mënyrë për të llogaritur kohën gjatë Kreshmës së Madhe, atyre u erdhi ndër mend kjo metodë. Vizatuan një murgeshë. Morën një copë letër dhe e prenë, duke i dhënë formën e një gruaje. E bënë pa gojë, pasi ajo kreshmon nga fjalët e tepërta. Duart i ka të kryqëzuara në pozicion lutjeje. Ka shtatë këmbë, një për secilën javë të kreshmës (përfshirë Javën e Madhe). Ҫdo të shtunë i presim nga një këmbë dhe e hedhim atë tek lulet, ose diku ku nuk e shkel njeri.
Të Shtunën e Madhe, pas Liturgjisë Hyjnore, e copëtojmë komplet trupin e saj dhe e hedhim tek bimët, në bar apo në ndonjë pemë, që të shërbejë si ushqim për zogjtë dhe kafshët. Kështu, i gjithë krijimi gëzon!
Rekomandohet ta gatuajmë 1-2 ditë përpara se të fillojmë ta përdorim. Ne do ta gatuajmë këtë të shtunë, para “Mbrëmësores së faljes” që kemi të nesërmen.
Pres me padurim të nisim rrugëtimin përgjatë Kreshmës bashkë me Familjen. Le t’i “krasitim” pak dhe ne jetët tona, në mënyrë qëdrita e Zotit të depërtojë në shpirtrat tanë.
Comments