top of page

Ungjillëzimi

Po i afrohemi të Dielës së dytë të Kreshmës, dhe njëkohësisht edhe një prej 12 festave më të mëdha të Kishës sonë, Ungjillëzimin. Rëndësia e kësaj feste qëndron në faktin se e Tërëshenjta pranoi të bëhet tek ajo sipas vullnetit të Perëndisë.

Nuk është aspak e rastësishme se historia e të Tërëshenjtës nis me një çift të moshuar judenjsh shpresëtarë por shterpë, të cilët i luteshin vazhdimisht Perëndisë për një fëmijë, dhe kur ajo lindi, e dërguan në Tempull ku u rrit në përkushtim.

Hisotria e Hyjprindërve Joakim dhe Ana, na kujton historinë e Abrahamit dhe Sarës si dhe të shumë çifteve të tjera në Dhiatën e Vjetër, që ishin gjithashtu shterpë.

Bekimi më i madh i një burri dhe një gruaje, të krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë është të sjellin në jetë një fëmijë, nisur nga dashuria e madhe për njëri tjetrin. Kjo na kujton pareshtur dashurinë e jashtëzakonshme të Perëndisë Triadik, i cili na mundësoi të hyjmë në jetën e përjetshme.


 Për të ndrequr pasojat e mëkatit fillestar mbi të gjithë njerëzimin, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, Biri i Perëndisë, u bë Biri i Virgjëreshës. E Tërëshenjta personifikon mbarë njerëzimin, që i thotë “Po” Perëndisë, ndryshe nga njeriu i parë i rënë. Me pohimin e saj, ajo hyri në jetën e vërtetë, në natyrën njerëzore të përtërirë sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë.

Kisha jonë na mëson se Perëndia e përuli veten plotësisht, në personin e Jisu Krishtit, që t’i hapte njerëzimit dyert e përjetësisë.

Kur Perëndia u bë njeri, nuk erdhi në botë me ndonjë mënyrë të jashtëzakonshme.

Më befason gjithmonë thjeshtësia dhe, në të njëjtën kohë, mrekullia e Ungjillëzimit. Le ta imagjinojmë këtë ngjarje në kohërat e sotme. Nëse do të na duhej të bënim ndonjë lajmërim, qoftë shtatëzani, lindje, apo edhe fejesë ose martesë, imagjinoni se sa shumë planifikime e organizime do të duheshin. Do të merrnim ndonjë fotograf, do të blinim rroba të reja, padyshim që çdo gjë do të ishte e dokumentuar në rrjetet sociale, madje edhe në ndonjë gazetë- nëse do të bëhej fjalë për njerëz të njohur.


Perëndia ynë është Zoti i madh i fuqive. Së fundmi Moisiu ka mësuar fjalën “apex” që do të thotë “më i larti e më i fuqishmi”. Atij i pëlqen të thotë se Perëndia është “apex” mbi gjithçka. Pra, nëse Perëndia ynë është kaq i fuqishëm, përse erdhi në botë si një foshnje e një nëne të varfër, shumë larg nga rangjet e pasura të shoqërisë? Mund të kishte ardhur në çfarëdolloj mënyre që të donte. Megjithatë, përkundrazi, kërkoi të vinte nëpërmjet një personi, një gruaje të varfër dhe të brishtë, e cila mund edhe të akuzohej për shkelje kurore e të vritej me gurë. Padyshim kishte frikë, por nuk hezitoi t’i bindej Perëndisë, në ndryshim nga Eva. Vendosmëria për të përballur atë realitet të ashpër, duke ecur sipas vullnetit të Perëndisë, ishte fryt i besimit të madh që kishte.


Në himnet e mëngjesores së të kremtes dëgjojmë të psalet:

“Kryeëngjëlli sot po të përshëndosh: Gëzohu zonjë shën Mari, e para mbi të gjithë gratë, sot tërbim’ i gjaprit nuk merret parasysh, se mallkimi prindëror është zhdukur përgjithnjë, të gjithë pra thërresim me zë të madh, zonjë Hyjlindëse gëzohu.”

Do doja t’ju tregoja se përse Kisha Orthodhokse e nderon kaq shumë këtë vajzë të re, Virgjëreshën dhe Hyjlindësen e Tërëshenjtë. Ajo pati besim të plotë tek fjalët e Kryeëngjëllit , dhe tha: “U bëftë tek unë sipas fjalës sate”. Me këtë miratim, ajo u bë dera e realizimit të planit të shpëtimit të Perëndisë për njerëzit.

Termi “Hyjlindëse” do të thotë “nënë e Perëndisë”, jo në kuptimin që ajo ishte “nëna” e Perëndisë Triadik apo ndonjë perëndeshë. Që në fillesat e Krishtërimit, e Tërëshenjta është nderuar si nënë e Perëndisë së shenjtë . Kisha na mëson se Hyjlindësja Mari ishte tërësisht njerëzore nga natyra, ashtu si të gjithë ne. Me dëlirësinë, përulësinë dhe gatishmërinë e saj për t’iu bindur Zotit, me vullnetin e saj të lirë pranoi të bëhej nënë e Perëndisë ( i Cili në vetvete kishte dy natyra: u shfaq tërësisht njerëzor duke mbetur tërësisht hyjnor). Diçka vërtet e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme ndodhi tek ajo. “E bekuar je ti ndër gratë dhe e bekuar është pema e barkut tënd.”

Si të mos e nderojmë mbi të gjithë shenjtorët, atë e cila u bë mjeti i realizimit të planit për shpëtimin tonë?

Vijmë në një nga gjërat më kryesore, që do të ishte mirë ta dinin të gjithë: Maria nuk u detyrua apo urdhërua të miratonte planin e Perëndisë. Ajo ishte e lirë edhe të refuzonte, por duke pasur vullnet të lirë, ashtu si të gjithë ne, shërben si model dhe udhërrëfyese për ne, që edhe ne ashtu si ajo të mos hezitojmë kurrë t’i themi “Po” Perëndisë.


Atë Alexander Schmemann e përshkruan vendin që e Tërëshenjta zë në besimin tonë në këtë mënyrë:


Nderimi i Virgjëreshës Mari është pjesë thelbësore e besimit tonë. Në ikonën e të Tërëshenjtës shohim të mishëruar virtytin e përulësisë dhe dëlirësisë, të mbushur plot bukuri dhe potencial, si një ikonë e triumfit të dashurisë. Virgjëresha e Tërëshenjtë dhe e Gjithëkulluar nuk kërkoi asgjë dhe i mori të gjitha. Nuk zotëronte asgjë, por i kishte të gjitha. Në të shohim të pasqyruar zemrën e butë dhe të ndjeshme, përkujdesjen, besimin dhe përulësinë. Ne e quajmë Zonjën tonë dhe Mbretëreshë të Qiejve, e megjithatë ajo e quan veten “shërbëtore të Zotit”.

Vetë Jisui tha: “Mos u shqetësoni, por kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë.” (Mt. 6.33). Në personin e të Tërëshenjtës, zemrat tona fillojnë të kuptojnë se çfarë do të thotë të kërkosh Mbretërinë e Perëndisë, dhe ky përjetim na udhëheq.


Tani le të lexojmë historinë e Ungjillëzimit

Kryeëngjëlli i sjell Marisë lajmin e mirë

Maria qëndroi në Tempull derisa arriti në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Ajo qëndronte përherë në paqe me veten dhe në marrëdhënie me të tjerët. Mësoi të gjitha gjërat që zakonisht u mësoheshin vajzave të moshës së saj. Parapëlqente më shumë të lexonte Shkrimet e Shenjta ku përshkruhej historia e Evës dhe Adamit, Arkës së Noes, profetëve Abraham, Moisi, David, Solomon dhe të tjerëve. Kështu, ajo mësonte se çfarë kishte ndodhur me njerëzimin dhe lexonte shkrimet e profetëve, ku flitej për Shpëtimtarin që pritej të vinte. Edhe ajo pyete veten herë pas here se kur do të përmbushej koha që të vinte Shpëtimtari.

Kur mbushi katërmbëdhjetë vjeç, iu desh të largohej nga Tempulli, por në atë kohë Joakimi dhe Ana kishin vdekur të dy dhe nuk kishte asnjë që të mund të përkujdesej për të. Prandaj, priftërinjtë e tempullit gjetën një burrë të shkuar në moshë, që ishte i afërm i Marisë, Josifin, i cili punonte si zdrukthëtar. Priftërinjtë iu lutën ta merrte Marian në shtëpi që të mund të kujdesej për të. Ai kishte mbetur i ve prej shumë kohësh, kështu që nuk kishte asnjë problem për të. Në shtëpinë e Josifit, Maria vazhdoi të jetonte si edhe më parë: duke lexuar, punuar dhe duke u lutur, ajo krijonte një atmosferë paqeje kudo që shkonte.

Befas, një ditë gjatë pranverës, ndërsa qëndronte në vetminë e saj në lexim dhe lutje, pa një engjëll të shfaqej para saj. Ai foli si njeri, duke i thënë: “Gëzohu, o hirplotë, Zoti është me ty. E bekuar je ti në mes të grave.”

Kur Maria pa engjëllin, u tremb, dhe pyeste veten se ç’të ishte vallë kjo përshëndetje. Por engjëlli vazhdoi t’i fliste: “Mos ki frikë Mari, Perëndia të ka zgjedhur. Ti do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jisu (emri Jisu do të thotë ‘Shpëtimtar’). Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i Shumë të Lartit, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.”

“Si do të ndodhë kjo, pasi unë nuk jam e martuar?- e pyeti Maria.

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë”,- ia ktheu kryeengjëlli,- “Ja kushërira jote Elisabeta, edhe ajo në pleqërinë e saj do të lindë një djalë, sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.”

Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit. Le të bëhet tek unë sipas fjalës sate”.

Perëndia bekoi Elisabetën dhe Zaharian me një djalë.

Engjëlli u largua, dhe Maria priste lindjen e djalit, siç i pati premtuar engjëlli. Pas bisedës me engjëllin, ajo shkoi të vizitonte kushërirën e saj, Elisabetën. Edhe kjo e fundit e përshëndeti Marinë në një mënyrë të çuditshme, ashtu si dhe engjëlli: “E bekuar je ti ndër gratë dhe e bekuar është pema e barkut tënd.”

Lajmi që iu dha Marisë ishte lajmi më i mirë i historisë së njerëzimit. Vetë Perëndia do të vinte te banonte në tokë me ne, i mishëruar në personin e Jisu Krishtit.

Prandaj edhe ne, çdo vit, në pranverë kujtojmë ditën kur Maria mori lajmin e mirë. Ajo ndenji rreth tre muaj tek Elisabeta, përpara se të kthehej në shtëpinë e saj.

 

Diskutim Padyshim nuk është aspak e lehtë që t’u shpjegojmë fëmijëve të gjitha ngjarjet që paraprinë Ungjillëzimin. Megjithatë, është shumë e rëndësishme dhe e duhur që të mundohemi t’ua përcjellim atyre këtë histori në mënyrë sa më të kuptueshme, duke u shpjeguar disa nga mesazhet kryesore të ngjarjes:

1. Kush ishte lajmëtari?

Kryeengjëlli Gabriel. Në Bibël kemi shumë raste ku Perëndia i dërgon engjëjt e tij si lajmëtarë. Në këtë rast Ai dërgoi tek Maria Kryeengjëllin Gabriel.

2. Kujt iu dha lajmi i mirë?

Marisë

3. Cili ishte lajmi i mirë?

Që Maria do të lindte një djalë, i cili do të quhej Jisu.

4. Përse Perëndia na dërgoi Birin e Tij?

Perëndia u kishte premtuar njerëzve se do të dërgonte Shpëtimtarin Jisu, për të na mësuar mbi të gjitha se si të kemi dashuri për njëri-tjetrin. Ai përzgjodhi Marinë për të qenë nëna e foshnjës Jisu, Perëndisë së mishëruar. Kështu, Perëndia e përtëriu natyrën njerëzore, duke e ngritur akoma më lart se ç’kishte qenë para rënies.

5. Si u përgjigj Maria?

Fillimisht u shfaq pak e hutuar, por më pas menjëherë pranoi të bëhet mbi të sipas vullnetit të Perëndisë.

Mënyra se si reagoi e Tërëshenjta ndaj lajmit që iu dha, përbën një mësim shumë të rëndësishëm për fëmijët tanë, një mesazh i fortë dashurie, përulësie dhe bindjeje.

6. Po ne, si mund t’i themi “Po” Perëndisë?

Përgjigjet mund të jenë të ndryshme për fëmijë të ndryshëm, por kryesorja është që të kuptohet se Perëndia kërkon nga ne që t’i duam të gjithë njerëzit dhe të sillemi me ta ashtu sikurse do të donim të silleshin dhe ata me ne.


 

Punëdore: Të krijojmë pankarta me lajmërime

Lexojmë sërish fjalët e troparit të të kremtes së Ungjillëzimit:


Sot është nisja e shpëtimit tonë

Edhe shfaqja e misterit të qëmotshëm

I Biri i Perëndisë bëhet i Biri i Virgjëreshës

dhe Gabrieli ungjillëzon këtë gëzim

Prandaj le t’i thërresim Hyjlindëses:

“Gëzohu o hirplotë, Zoti është me ty.” Në tropar thuhet se sot është “nisja” e shpëtimit tonë sepse bëhet fjalë për Mishërimin e Perëndisë, ngjizjen e Jisuit, Shpëtimtarit tonë. Nëntë muaj pas kësaj feste, të cilën e kremtojmë në Mars, ne festojmë Lindjen Trupore të Krishtit në Dhjetor. Kur themi “nisja e shpëtimit tonë”, nënkuptojmë shpëtimin nga kthetrat e vdekjes. Me ardhjen në botë të Perëndisë së Mishëruar ne ftohemi ta ndjekim Atë dhe të jemi me Të përjetësisht, në Mbretërinë e Tij.

Kjo ka qenë pjesë e planit të Perëndisë që prej fillimit, prandaj thuhet “mister i qëmotshëm”.

“Hiri” është një dhuratë e Perëndisë, e rezervuar për këdo që ka dashuri për Të, dhe jeton sipas thirrjes së Tij. Vetë Hiri i dendëson njerëzit të ecin në rrugën dhe mësimet e Krishtit.


Kur të flisni me fëmijët tuaj, mundohuni t’ua bëni të qartë se fjalët e para të troparit “Sot është nisja e shpëtimit tonë” përbëjnë vërtet lajmin e mirë për të gjithë njerëzimin. Pra kjo e mirë nuk na takon vetëm neve, por të gjithëve. Kështu edhe ne duhet ta ndajmë gëzimin tonë me të tjerët.

Fjalët e fundit: “Gëzohu o hirplotë, Zoti është me ty.” i drejtohen Marisë (gjë që e kuptojmë nga epiteti “hirplotë”.




Për punëdoren do të na duhen letra, bojëra, ngjitëse etj.

Unë personalisht do ta lë Moisiun të zgjedhë një frazë nga tropari dhe do ta shkruajmë në dy ose tre fleta, të cilat më pas do t’i ngjisim bashkë. Mund t’i zbukurojmë fletët me bojëra, xixa apo ngjitëse të ndryshme.


Si të përfundojmë, do ta ngjisim lajmërimin diku në shtëpi, për të pritur festën. Një tjetër ide do të ishte të shkruajmë pjesë nga tropari nëpër fletë më të vogla, për t’ua shpërndarë më pas të gjithë miqve tanë.


Ëmbëlsirë me kanellë në formë spirale



Një ëmbëlsirë e thjeshtë, me kanellë, të cilës mund t’i hedhim përsipër edhe arra.





 

Në këtë të kremte të Ungjillëzimit, le të shpallim në familjet tona:


Gëzohu ti, me anën e së cilës do të shkëlqejë gazi; gëzohu ti, me anën e së cilës do të humbasë mallkimi.

Gëzohu, o rithirrje e Adamit të rënë; gëzohu, o shpërblim i lotëve të Evës.

Gëzohu, o lartësi, ku mendjet njerëzore nuk arrijnë të ngjiten dot; gëzohu, o thellësi, ku dhe sytë engjëllorë e kanë të vështirë të shikojnë.

Gëzohu, se ti je froni i Mbretit; gëzohu, se ti mban atë që i mban të gjitha.

Gëzohu, o yll, që tregon diellin; gëzohu, o bark që trupëzon hyjninë.

Gëzohu ti, me anën e së cilës përtërihet krijesa; gëzohu ti, me anën e së cilës foshnjëzohet Krijuesi.

Gëzohu o Nuse e panusëruar.





Comments


bottom of page