top of page

Shen Joani i Shkalles

Të Dielën e katërt të Kreshmëve kujtojmë Shën Joanin e Shkallës. Arsyeja përse e quajmë kështu jo prej mbiemrit, por duke e lidhur me veprën e tij “Shkalla e ngjitjes shpirtërore.” Por kush është ky shenjtor dhe çfarë shkalle është kjo?


Në librin e titulluar: “Duke u kujdesur për kopshtin e zemrave tona” (Tending the garden of our hearts) të shkruar nga Elissa Bjeletich dhe Kristina Wegner, përshkruhet dhe jeta e shën Joanit.


Ai ishte një njeri shumë i mençur dhe i arsimuar. Mund të kishte zgjedhur të bëhej ndonjë mësues i zoti, por zgjodhi t’i përkushtohej plotësisht Perëndisë, duke zgjedhur rrugën e ngushtë të murgjërisë. Që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare shkoi në një manastir që ndodhej në një vend shumë të veçantë: në Malin Sina, aty ku edhe profeti Moisi u ngjit mijëra vite më parë, që të merrte Dhjetë Urdhërimet e Zotit.

Pasi jetoi disa vite në vëllazëri në manastir, vendosi të tërhiqet dhe të jetojë i vetëm në shkretëtirë, si eremit. Kështu, jetoi i vetëm për dyzet vjet, duke iu përkushtuar lutjes dhe leximit të jetës së shenjtorëve.

Gjatë kësaj përpjekjeje pati shumë tundime nga i ligu, që kërkonte ta ushqente me pasione për ta çuar në rënie. Me shpresë të palëkundur tek Krishti dhe i armatosur me lutje, arriti t’i bënte ballë këtyre tundimeve. Sa më shumë lutej, aq më shumë i largohej tundimeve dhe mëkatit, duke përparuar në virtyt. Ishte bërë kaq i afërt me Perëndinë saqë edhe murgjit e tjerë, të cilët dëgjuan për shenjtërinë e tij, shkonin tek ai për t’u këshilluar. Pas gjithë asaj kohe sprovash dhe tundimesh, duke parë luftn e mirë të tij, Perëndia i dha dhuntinë që të mund të ndihmonte dhe shëronte edhe njerëzit e tjerë që përballeshin me tundime të mëdha, e t’i jepte atyre paqe shpirtërore. Një herë, një burrë që po kalonte tundime të tmerrshme i kërkoi shën Joanit të lutej për të, dhe ndërsa luteshin të dy së bashku, shpirti i të gjorit gjeti paqe, dhe kurrë më nuk provoi tundime të tilla.

Shën Joani pranoi pranë vetes edhe një nxënës, që quhej Moisi. Një ditë, Moisiut iu desh të bënte rrugë të gjatë për të gjetur pak dhè për kopshtin e tyre të vogël (kujtoni se ata jetonin në shkretëtirë). Kur u lodh, u ul pak të s’lodhej rrëzë një shkëmbi. Në këtë kohë shën Joani ishte në shtëpi, por Perëndia i shfaqi rrezikun në të cilin ndodhej Moisiu, dhe ai filloi të lutej. Po atë mbrëmje, kur nxënësi u kthye në shtëpi, i tregoi shën Joanit se ndërkohë që flinte, për pak sa nuk i ra shkëmbi përsipër, por ndërsa ishte në gjumë dëgjoi zërin e Joanit ta thërriste, dhe u çua menjëherë, duke shpëtuar pak përpara se shkëmbi të copëtohej e të binte.

Kur shenjtori ishte shtatëdhjetë e katër vjeç, u përzgjodh si igumen në manastirin në Malin Sina. Duke qenë udhëheqës për të gjithë murgjit dhe eremitët e asaj zone, ata i kërkuan të shkruante një përmbledhje të të gjithë parimeve dhe rregullave shpirtërore që ai kishte ndjekur gjatë jetës, në mënyrë që edhe të tjerët të mësonin prej shembullit të tij. Kështu, shën Joani shkroi “Shkallën e përsosmërisë” ose “Shkallën e ngjitjes shpirtërore”.

Duke qenë udhëheqësi shpirtëror i murgjve të manastirit, ashtu si Moisiu që u ngjit në Malin Sina për të marrë Dhjetë Urdhërimet, kështu edhe shën Joani shkroi për ngjitjen e një mali shpirtëror, duke ndjekur rregulla të caktuara. Si një Moisi i ri, që pas zbritjes nga mali, fytyra i shkëlqente nga drita e Perëndisë, shën Joani e paraqiti udhëtimin shpirtëror si një shkallë me tridhjetë hapa, që konsiderohet edhe sot si model i jetës asketike.


Diskutim mbi jetën e shën Joanit të Shkallës:

Mësuam se shenjtori kaloi shumë tundime. A e çuan ato në mëkat? Përse jo?

Ai iu përgjigj tundimeve me anë të lutjes, prandaj ato nuk mundën kurrsesi të fitonin pushtet mbi shenjtorin.

Përse quhet “Joani i Shkallës”?

Quhet kështu prej veprës së tij “Shkalla e ngjitjes shpirtërore”.

Çfarë të përbashkëtash kanë shën Joani dhe profeti Moisi?

Ka disa ngjashmëri ndërmjet tyre, për shembull fakti që të dy ishin në Malin Sina dhe morën udhëzime nga Perëndia, për t’ia mësuar më pas edhe të tjerëve. (Moisiu- Dhjetë Urdhëresat ndërsa Joani- Shkallën).

Për diskutim: Ҫfarë mendoni se mund të jenë disa nga shkallët e ngjitjes shpirtërore që shkroi shën Joani?


 

Do të doja të ndaja me ju dhjetë hapa që mund t’i ndani dhe me fëmijët, për mënyrën se si mund të afrohemi më tepër me Zotin.

Përpara se të fillojmë t’u mësojmë fëmijëve dhjetë hapat që përmendëm, do të ishte interesante sikur në fillim t’u flisnim për shkallët në përgjithësi. Çfarë lloji janë ato? Ka shkallë të vogla dhe të mëdha. Ato të voglat zakonisht i kanë ndarjet më larg nga njëra-tjetra, ndërsa më të mëdhatë i kanë më në afërsi. A ju ka rastisur ndonjëherë të qëndroni në njërën ndarje të shkallës për shumë kohë? Padyshim kjo është shumë e lodhshme. Ndarja e shkallës nxë vetëm një pjesë të vogël të shputës së këmbës, dhe sa më shumë qëndrojmë, aq më e shumë dhembje krijon. Do të ishte më mirë të lëviznim qoftë në ndarjen më lart ose më poshtë, vetëm të mos qëndronim në një vend. Po sikur të provonim t’i ngjisnim shkallët vetëm me këmbë (pa mbështetur duart)? Me siguri, shumë shpejt do të humbnim balancën e do të binim. E njëjta gjë nëse do të provonim t’i ngjisnim vetëm me duar, pasi krahët do të lodheshin shumë shpejt nga pesha e trupit. E njëjta gjë ndodh edhe gjatë ngjitjes së shkallëve shpirtërore për t’u afruar më pranë Zotit dhe për të fituar jetën e përjetshme. Ndërkohë që ndodhemi në njërën ndarje të shkallës, paralelisht gjendemi edhe në dy a tri ndarje të tjera. Këto ndarje që do t’i analizojmë më poshtë, kanë lidhje edhe me shpëtimin e fëmijëve tanë. Secila prej tyre ka rëndësinë e vet, por të gjitha së bashku na ndihmojnë për të arritur qëllimin tonë si të Krishterë Orthodhoksë: të fitojmë përjetësinë pranë Krishtit.

Atë Andon Coniaris, në librin e tij të titulluar “Simbole të shenjta që fjalin” (Sacred symbols that speak) (vol. I fq. 66-75), thotë se kjo shkallë është një dhuratë që na është dhënë nga vetë Krishti. Vetë Shpëtimtari e zbriti këtë shkallë gjatë Mishërimit të Tij, dhe e ngjiti përsëri me vdekjen dhe Ngjalljen e Ngjitjen e Tij në Qiell. Atë Andoni na jep një shembull: nëse një të riu të varfër i ofrohet një bursë studimi nga një i pasur, atëherë themi se i është dhënë një dhuratë që ai vetë nuk do të mundej kurrsesi ta arrinte. Por këtij studenti do të duhet të përgatitet të punojë e mësojë shumë nëse do ta shfrytëzojë e të nxjerrë më të mirën nga bursa që iu dha. Në mënyrë të ngjashme, kjo është edhe arsyeja përse edhe ne duhet të ngjitim shkallën që na u dha nga Krishti. Ajo na u dha si dhuratë, ashtu si studenti me bursën. Por, për studentin, bursa nuk përbën qëllimin, por mjetin për të përfituar arsimim, grada të caktuara dhe së fundmi, profesionin. Kështu, edhe shkalla jonë i ngjason bursës, jeta në Kishë - arsimimit, shpëtimi - grada dhe qëllimi ynë përfundimtar, pra bashkimi me Krishtin (theosis) i ngjason profesionit.

Kalojmë kështu në dhjetë pikat që thamë se do t’i mësonim fëmijëve tanë. Këto pika që do të trajtojmë janë marrë nga “Shkalla e ngjitjes shpirtërore” e shën Joanit, e cila, siç mësuam, përbëhet nga tridhjetë pika. Jam munduar t’i paraqes këto pika të thjeshtëzuara në mënyrë që të mund t’i kuptojnë fëmijët. Kjo nuk do të thotë se pikat e tjera nuk kanë rëndësi për fëmijët, përkundrazi, kanë aq shumë rëndësi saqë doja të zgjidhja dhjetë prej tyre. Secila ndarje e shkallës është një mundësi për të diskutuar me fëmijët e për t’i mësuar ata se si t’i zbatojnë mësimet e dhëna në jetën tonë,në mënyrë që të bëhemi të krishterë më të mirë, duke ardhur sa më pranë Perëndisë.


Lutja


Ç’është lutja? Lutja është komunikimi ynë me Perëndinë dhe shenjtorët. Cilat janë disa nga lutjet që mund të themi? Një nga lutjet që themi më shpesh, e cila është edhe e lehtë për t’u mbajtur mend nga fëmijët, është pikërisht “Lutja e Jisuit” (Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin dhe shpëtomë.) Përse duhet të lutemi? Sepse nëpërmjet lutjes ne afrohemi me Perëndinë. Gjatë lutjes, mund të komunikojmë me Perëndinë nëpërmjet lutjes së Jisuit, duke treguar se si na shkoi dita, vështirësitë që mund të kalojmë, për të cilat i lutemi Zotit që të na ndihmojë, si dhe kur realizojmë arritje dhe suksese, për të cilat nuk harrojmë të falënderojmë Perëndinë që na ndihmon dhe na fuqizon.

Në mënyrë tjetër e lutjes është edhe duke ndjekur kalendarin e lutjes që filluam në javën e parë të Kreshmëve. Përveç lutjeve të tij të zakonshme, Moisiu lutet edhe për një person në veçanti, ose edhe dy apo tre. Këto janë lutje janë shumë të thjeshta, qofshin këto për t’i kërkuar Zotit t’i japë fuqi kushëririt të tij Niklaus, apo ta ndihmojë Nuna e tij në punën dhe shkollën e saj. Kam kuptuar se mënyra më e mirë për të inkurajuar një fëmijë të lutet, është duke e nxitur t’i drejtohet Perëndisë ashtu siç do t’i drejtohej ndonjë miku.



Zemërgjerësia

Ç’është zemërgjerësia? Zemërgjerësia është të qenit i sjellshëm. Si mund të bëhemi zemërgjerë? Një mënyrë e lehtë për t’ia mësuar fëmijëve këtë koncept është nëpërmjet vargut tek Vep.Ap. 20:35: “Me çdo mënyrë ju tregova juve se kështu duke u munduar duhet t’u ndihmoni të pafuqishmëve, edhe të kujtoni fjalët e Zotit Jisu, se ai vetë tha: “Lumturi më e madhe është të japë njeriu se të marrë”. Zemërgjerë mund të bëhemi duke i dhënë të tjerëve. Gjatë Kreshmës së Krishtlindjes diskutuam për ofrimet që mund t’u bëjmë atyre që janë në nevojë, qofshin këto ushqime, rroba, lodra etj. Ka shumë mënyra se si mund të kontribuojmë, nëpërmjet zyrave dhe institucioneve të ndryshme të Kishës sonë, p.sh Mensa “Shërbimi i dashurisë”, zyra e grave apo edhe thjesht duke i blerë një byrek lypësit që qëndron në hyrje të kishës. Përse është kaq e rëndësishme të qenit zemërgjerë? Është shumë e rëndësishme që fëmijët tanë të mësojnë të jenë zemërgjerë, pasi kështu ata kthehen në ikona të Perëndisë. Dikur pashë një pikturë të një burri që po i ofronte disa pará një lypësi. Veçse lypësi nuk shfaqej me fytyrën e tij, por me fytyrën e Krishtit. Siç ne jemi ikona të Krishtit, ashtu janë edhe ata të cilët ne ndihmojmë.

Para pak ditësh, të tre si familje po ktheheshim në shtëpi nga Liturgjia. Kisha një banane në çantë dhe unë dhe im shoq i kërkuam Moisiut të shkonte e t’ia jepte një lypësi në rrugë. Para se të vazhdoj me historinë do të doja të theksoja se im bir nuk i ka qejf frutat dhe perimet. Do të mund t’i numëroja me gishta frutat që ai ha, dhe banania nuk bën pjesë ndër to, madje as që do ta provojë. Kthehemi përsëri tek historia: ia dha bananen lypësit me shumë ngurrim, dhe për 45 minutat e ardhshme qante se si e kishte dhuruar bananen e tij të preferuar. Oh sa situatë gazmore ishte! Mua dhe tim shoqi na u desh shumë mundim që të mos qeshnim. Por ja, ai nuk i ha fare bananet dhe tani thotë se ajo ishte banania e tij e preferuar. E shfrytëzuam këtë rast për t’i folur për rëndësinë e madhe që ka t’i japim atyre që nuk kanë. Pas njëfarë kohe u qetësua dhe e pranoi se ishte më mirë që ia dha lypësit bananen. Akoma vazhdon e flet për bananen e preferuar, por tani shton se fruti shkoi në një vend më të mirë, tek një person që nuk kishte fare për të ngrënë.


Butësia


Ç’është butësia? Butësia është besimi i palëkundur në Zotin, pavarësisht të gjithave. Pra të qëndrosh në drejtësinë, pa kërkuar hakmarrje. Të jesh i mirë, i thjeshtë e i sjellshëm.

“Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.”- tha Jisui tek Ungjilli sipas Mattheut 5:5. Këto fjalë nuk nënkuptojnë se duhet thjesht të jemi të qetë e të nënshtruar si natyrë, as të mos debatojmë. A e dinit se Dhiata e Re u shkrua fillimisht në greqisht? Në greqisht, fjala “i butë” del në dy kuptime të ndryshme. Lundërtarët e përdornin këtë fjalë për të përshkruar një fllad të lehtë. Nga ana tjetër, fermerët e përdorin këtë term për t’iu referuar në kafshe të egër në natyrë, si p.sh. kalin, i cili është zbutur dhe mësuar t’i bindet të zotit. Të dyja përdorimet e termit i referohen një force të mbajtur nën kontroll. Lundërtari e përdor forcën e erës për të lëvizur anijen, duke lëshuar velat. Fermeri i trajnon kuajt e egër në mënyrë që t’i përdorë për dobitë e veta, si të plugojë tokën apo si mjet transporti. Era nuk zbutet atëherë kur lundërtari e përdor për dobinë e tij, as kali nuk zbutet kur fermeri e përdor për të punuar apo kur kalëron mbi të. Potenciali i tyre nuk humbet, por përdoret. Në të njëjtën mënyrë, kur Krishti na nxit të jemi të butë, nuk nënkupton ‘të dobët’, por që i nënshtrohen Ligjit të Perëndisë dhe e lënë Atë të udhëheqë jetët e tyre. Të butët i besojnë Perëndisë, sepse e dinë se rrugët e Tij janë të drejta.

Si të jemi të butë? Një nga historitë që Moisiu pëlqen më shumë nga Dhiata e Vjetër është pikërisht historia e profetit Moisi, i cili është edhe një shembull shumë i mirë i njeriut të butë. Tek “Numrat 12:3 thuhet: “Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo në faqen e dheut”. Në vazhdim të këtij vargu, na tregohet se si Miriami dhe Aaroni vijnë tek ai për ta kritikuar. Në vend që t’ua kthente ose t’i quante mashtrues, Moisiu e la veten në mbrojtjen e Perëndisë. Këtu tregohet dhe butësia e tij. Këto histori të Moisiut e të fermerit dhe lundërtarit mund t’ia tregoni dhe fëmijëve tuaj, që të mund të mësojnë se ç’do të thotë të jesh i butë dhe të mbështetesh plotësisht tek Zoti.



Falja


Këtë temë e kemi diskutuar shumë herë. Falja është element thelbësor i jetës së krishterë. Ç’është falja? Është vendimi për të hequr dorë nga ndjenjat e këqija që mund të kemi ndaj një personi. Si e praktikojmë faljen? Sidomos gjatë kësaj periudhe të Kreshmës së Madhe, por edhe çdo herë përpara Kungimit thirremi për t’i kërkuar falje njëri-tjetrit. Ҫdo natë gjatë Kreshmës së Madhe, themi lutjen e shën Efrem Sirianit: Zot dhe mjeshtër i jetës sime, mos më jep frymë përtese, kureshtjeje, lavdidashjeje dhe kotësie; por falmë frymë urtësie, përulësie, durimi dhe dashurie; vlerësomë, o Zot dhe Mbret, të shikoj fajet e mia, e të mos gjykoj tim vëlla.” Në fund, përqafojmë njëri-tjetrin dhe kërkojmë falje për çdo gjë të gabuar që mund të kemi bërë gjatë ditës. Një tjetër diskutim që mund të zhvilloni me fëmijët mbi këtë temë, është se sa e vështirë është falja në të vërtetë. Në histori që më pëlqen shumë t’ia tregoj Moisiut, është historia e Krishtit mbi kryq. Tek Ungjilli i Lluakit (23:34) lexojmë: “Edhe Jisui thoshte: O Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë.” Ndër të tjerë, në këtë lutje Krishti përfshinte edhe persekutuesit e tij, të cilët e dënuan me kryqëzim, edhe ata që e gozhduan në kryq. Ndër fjalët e Tij të fundit që tha para se të vdiste, ishin pikërisht këto të faljes. Moisiut i pëlqen kjo histori dhe e kujton sa herë has vështirësi në faljen e të tjerëve, pasi i kujton se sa e rëndësishme është kjo gjë.


Heshtja


Ç’është heshtja? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjeshin shumë lehtë të gjithë fëmijët. Heshtja është mungesa e zhurmës. Mirëpo në këto kohë që jetojmë, zhurmë nuk quhet vetëm ajo që dëgjojmë me veshët tanë, por dhe ajo që vjen nga televizorët, telefonat, kompjuterët dhe të gjitha pajisjet e tjera në shtëpi. Të jetuarit në Tiranë e bën qetësinë akoma edhe më të vështirë për t’u gjendur. Edhe nëse mbyllim dritaret dhe nuk vendosim muzikë, arrijmë t’i dëgjojmë zhurmat e borive të makinave dhe autobuzëve, fqinjët që flasin dhe celularët që lëshojnë tingull sa herë vjen një njoftim i ri. Im shoq është zakonisht i qetë, ndërsa mua më pëlqen muzika e lartë. Nga kjo anë, djali i ka ngjarë të atit. Nuk do që ta mbajmë dritaren hapur dhe as të vendosim muzikë. Megjithatë, kjo nuk është forma e vetme e qetësisë. Qetësi quhet edhe kur nuk u themi të tjerëve gjëra që do t’i lëndonin. Kjo na sjell tek pyetja: Pse është qetësia kaq e rëndësishme? Në ndarjen e tetë të “Shkallës” së tij, shën Joani shkruan: “Hapi i parë i përfitimit të qetësisë është të heshtësh buzët kur zemra emocionohet. I dyti, të heshtësh mendjen kur shpirti vazhdon të jetë i turbulluar. Qëllimi është të ruash qetësinë edhe sikur të gjendesh në mes të një stuhie.” Ndonjëherë përpiqemi t’i mësojmë Moisiut se sa mirë është të kemi qetësi në jetët tona. Na qëllon kaq shpesh të jemi të mbytur nga telefonat, kompjuterat, tabletat etj. Por vetëm duke arritur qetësinë e mendjes, zemrës dhe trupit arrijmë të dëgjojmë zërin e Perëndisë.



Bindja


Ҫ’është bindja? Bindje do të thotë të biesh dakord e të zbatosh një urdhër të caktuar. Fëmijët tanë kanë shumë persona ndaj të cilëve duhet të bëjnë bindje: prindërit, mësuesit, trajnerët (nëse janë pjesëtarë të ndonjë skuadre), e mbi të gjithë, Perëndinë. Me çfarë imazhi mund ta paraqesim bindjen? Ndonjëherë, në shtëpinë tonë merr imazhin e ndonjë lufte. Moisiu së shpejti mbush katër vjeç por shpesh sillet si të ishte adoleshent. Nëse është me nerva dhe ne i themi të vendosë lodrat në vend, zakonisht përfundojmë duke i folur e duke i thënë se duhet të na bëjë bindje. Meqë është kokëfortë, e kalon gjithë kohën duke u munduar t’i shmanget asaj që ne i themi të bëjë, duke i vështirësuar punët akoma më tepër. Ende jemi në përpjekje për t’i mësuar djalit konceptin e bindjes. E bukura është se, sapo ne të rriturit tregojmë pak mosbindje, e dallon menjëherë. Të paktën kjo do të thotë se po ecim në rrugën e duhur. Si bij të Perëndisë, bindja është për ne domosdoshmëri, dhe jo zgjedhje e lirë. Tek Ungjilli i Joanit 14:21-24 thuhet: “Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai. I thotë Juda, jo Iskarioti: Zot, ç’ndodhi, që do të tregosh veten tënde te ne, e jo tek bota? Jisui u përgjigj e i tha: Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai. Ai që s’më do, fjalët e mia nuk i ruan, dhe fjala që dëgjoni, nuk është mja, por e Atit që më dërgoi.” Perëndia na ka dhënë udhëzime shumë të qarta për bindjen, të cilat pasqyrohen sidomos tek Urdhëresat. Mënyra të tjera të bindjes janë edhe të vajturit në kishë, lutja, zbatimi i këtyre pikave për t’u afruar sa më shumë me Të etj.

+But what does obedience look like? In our house, it is sometimes like a war. Moses is just about to be 4 years old, but sometimes he acts like a teenager! If he is having a difficult day, we ask him to clean up his toys or to sit down for dinner, chances are that it will end with me or my husband telling Moses that he has to obey his parents. He is so stubborn he spends most of the time trying to get out of what he is supposed to be obeying and it makes everything a little more difficult, or honestly, a lot more difficult. Obedience is something that we are still trying to instill in our son. The funny thing is, he is always quick to catch us in disobedience or not doing the right thing. It makes us understand that we are leading him in the right direction.

Obedience in our lives as children of God is something we need to do, not something we want to do.

In the Gospel of John (14:21-24) we read: “He who has My commandments and keeps them, he it is who loves Me; and he who loves Me will be loved by My Father, and I will love him and manifest Myself to him….If a man loves Me, he will keep My word, and My Father will love him, and we will come and make our home with him. He who does not love Me does not keep My words; and the word which you hear is not Mine but the Father’s who sent Me.”



Shpresa


Ҫ’është shpresa? Termi i ngjan fjalës besë dhe nënkupton dëshirën për realizimin e diçkaje. Zakonisht përdorim fjalën “shpresë” dhe jo “dëshirë”. Nuk kanë të njëjtin kuptim kur i përdorim në lidhje me Perëndinë. Kur flasim për shpresën në Zotin, nënkuptojmë premtimin që Ai na ka dhënë, jetën e përjetshme. Në çdo moshë, njerëzit e lidhin shpresën me diçka të mirë. Pavarësisht nëse fjala është për punën, shkollën, provimet, pushimet, emisionin që unë bëj në radio, të gjitha bëhen me shpresën se diçka e mirë do të dalë prej tyre. Shpresa përbën dhethelbin e mesazhit të Kryqëzimit, Ngjalljes dhe Ngjitjes në Qiej të Zotit Krisht. Pothuajse në çdo shërbesë të Kishës Orthodhokse dëgjojmë priftin apo episkopin të thotë: “Lavdi më ty, o Zot shpresa jonë, lavdi më ty.” Kurrë nuk duhet të harrojmë se Krishti është vetë shpresa jonë. Me këtë shpresë nxitemi të jetojmë një jetë të krishterë, dhe të hyjmë në jetën e përjetshme.



Përulësia


Ҫ’do të thotë të jesh i përulur? Dua të ndaj me ju historinë e në personi nga Dhiata e Vjetër, që Moisiu e pëlqen shumë. Qoftë nga historia e tre djemve tek Mbreti Daniel, Mbreti Nabukodonosor është një person nga i cili mund të mësojmë shumë mbi përulësinë. Tek kapitulli i katërt i Danielit na tregohet se si Nabukodonosori u kthye nga një njeri mendjemadh dhe krenar, në të përulur. Papritur atij i qëllon të shohë një ëndërr të cilën nuk arrinte dot ta shpjegonte, dhe prandaj thirri Danielin. Danieli i shpjegon se simboli i pemës së thyer që dërgohet të jetojë në mes të egërsirave është vetë ai. Mbretit do t’i duhej të jetonte kështu për shtatë vjet, derisa të mësonte se Perëndia është mbi gjithçka dhe të gjithë. Shumë cilësi kishte Nabukodonosori, ama përulësia nuk bënte pjesë në to, përkundrazi, krenohej shumë me pallatin e tij mbretëror. Vetëm kur befas, një ditë, teksa po admironte bukuritë e mbretërisë së tij, iu lidh gjuha dhe nuk mund të fliste, prandaj u detyrua të shkojë e të jetojë në mes të egërsirave. Kaloi kështu shtatë vjet, siç parashikoi Danieli. Pasi koha u mbush, ai lavdëroi Perëndinë dhe e pranoi atë si Zot të të gjithave. Megjithëse ne e dimë se Perëndia nuk vepron gjithmonë duke i dërguar njerëzit mes egërsirave, nga kjo histori kuptojmë se sa vlerë ka shpirti i përulur. Mund t’i lutemi Atij kurdoherë që të na dhurojë përulësinë. Kjo do të thotë të arrijmë të vendosim nevojat e tjetrit përpara vetes tonë, të mos mburremi, apo të kuptojmë se kur e kemi gabim. Kështu, hidhemi tek ndarja e nëntë e shkallës:


Pendimi

Në esencë, pendimi është largimi nga paudhësitë dhe kthimi tek Perëndia. Pendimi lidhet ngushtë me rrëfimin. Kam dëgjuar se Kisha quhet “spital për mëkatarët”. Shën Joan Gojarti thoshte: “Mëkati na ndan nga Perëndia dhe Kisha e Tij. Mëkatove? Shko në kishë, pendohu, sepse aty ka mjekë dhe jo gjykatës. Askush nuk hetohet, por merr faljen e mëkateve.”

Si mund t’ua mësojmë fëmijëve pendimin? Sa herë Moisiu gabon ose mëkaton, ne e dëgjojmë arsyetimin e tij. Mundohemi të diskutojmë me të, e jo t’i mbajmë leksion se çfarë pasojash solli gabimi i tij. Mundohemi gjithashtu që ai të kërkojë falje sinqerisht, jo thjesht një “Më fal” të thatë. Modeli më i mirë është ai që japim ne si prindër, kur na qëllon të gabojmë. Për shembull: “Më fal, Moisi që nuk po të kushtoja vëmendje dhe nuk kisha durim. Duhet të jetë shumë ndjesi e keqe kur mamaja nuk të dëgjon. Do mundohem të jem më e duruar.” Ka shumë rëndësi që të kuptojmë ndjenjat e tjetrit kur kërkojmë falje, e të gjejmë mënyra që në të ardhmen të mos përsëritet e njëjta gjë. Në tjetër mënyrë për t’u mësuar fëmijëve pendimin është Misteri i Rrëfimit. Moisiu ende nuk është rrëfyer, por dalëngadalë po i vjen edhe atij mosha. Nevojitet patjetër që të kuptojë se mëkati na largon nga Perëndia, dhe nëpërmjet Rrëfimit ne afrohemi përsëri pranë Tij.



Dashuria


Ç’është dashuria? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë tek Joani 3:16: “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos vdesë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Si ta lemë jetën tonë të përfshihet nga dashuria e Perëndisë?

Si t’i duam të tjerët ashtu siç Perëndia na deshi ne?

Dashuria e Perëndisë është shumë më ndryshe se çdo formë tjetër dashurie. Nuk quhen dashuri vetëm romancat që shohim në televizor. Vërtet është shumë mirë t’i shfaqësh dashuri familjes, por jo gjithmonë është e lehtë t’i tregosh njerëzve që i do, aq më tepër me metrin e Perëndisë.

Dashuria që ndiejmë për të tjerët quhet agape (nga greqishtja) dhe kjo na mundëson t’i shikojmë të gjithë njerëzit ashtu si ata janë në sytë e Perëndisë.

Tim biri ia shpjegoj në këtë formë: “Mendo sikur ke vënë një palë syze të veçanta dhe me to arrin t’i shohësh të gjithë njerëzit me dashuri, ashtu siç duken në sytë e Zotit, ashtu siç ti sheh prindërit, vëllezërit, gjyshërit dhe shokët.” Nuk është aq e lehtë ta zbatosh këtë në jetën reale. Shumë herë tundohemi të zemërohemi, të bërtasim apo të sillemi pa dashuri me njerëzit. Madje mendojmë se disa njerëz as që e meritojnë dashurinë tonë. Por Perëndia i do ata, dhe nëse vërtet themi se e duam Perëndinë, duhet edhe ne t’i duam ata.

Shpesh Moisiu pyet: “Mami, kë duhet të dua unë?” Dhe i them: “Të duash Zotin, veten, familjen, miqtë, të afërmit, madje edhe armiqtë.”

Kryepiskopi Anastas thotë: “Ai që do Perëndinë, e ka të mundur që ta dojë edhe çdo njeri si veten e tij (shën Maksim Konfesori). Vetëm në këtë mënyrë do të qëndrojmë korrektë ndaj frymëzimeve më të thella dhe përjetimeve të besimit tonë”.

Mënyra më e mirë për t’i mësuar histori dashurish Moisiut është duke i lexuar jetët e shenjtorëve. Ai habitet gjithmonë nga dashuria e madhe që kishin ata për Perëndinë, miqtë, familjen, por edhe ata që i padrejtësonin.


 


Punëdore: Shkalla drejt Krishtit



Kjo shkallë lidhet me dhjetë hapat që përmendëm më lart. Do t’ju duhen: fletë, gërshërë, ngjitës dhe një ikonë të vogël të Krishtit.

Në fletë vizatoni një shkallë me dhjetë ndarje. Kur ta prisni, mos harroni të prisni dhe hapësirat ndërmjet çdo ndarjeje. Nisur nga ndarja e fundit shkruani këto fjalë: Lutja, zemërgjerësia, butësia, falja, qetësia, bindja, shpresa, përulësia, pendimi dhe dashuria.

Lërini fëmijët ta ngjyrosin shkallën si të duan. Mund të përdorni edhe dy fleta. Në majë të shkallës ngjisni ikonën e Krishtit.

Si të mbaroni punëdoren, mund t’i përsërisni përsëri dhjetë hapat që na drejtojnë tek Krishti. Duhet pasur kujdes se ato nuk janë me zgjedhje, pra nuk mund të zgjedhim të ndjekim vetëm disa pika, duke lënë mënjanë të tjerat. Qoftë edhe me ngadalë, mirë është të mësojmë t’i zbatojmë të gjitha pikat.


 

Receta

Me siguri që receta e kësaj jave do t’ju pëlqejë shumë. Neve na pëlqen shumë dhe është e veçantë pasi është traditë e Irlandës, prej nga vjen mamaja ime.


Në përfundim, do të doja të ndaja me ju këtë thënie të shën Joanit të Shkallës: “Mos u habit edhe nëse bie çdo ditë. Mos u dorëzo, por qëndro me kurajë, dhe me siguri engjëlli yt mbrojtës do t’ju çmojë për durimin tuaj. Plaga e nxehtë dhe e freskët mund të shërohet shpejt, por ato të vjetrat, të cilat janë lënë pas dore dhe qelbëzuar kërkojnë një trajtim të veçantë, prerje dhe mjekim. Madje ka edhe disa që për shkak të neglizhencës së vazhdueshme, bëhen të pashërueshme. Por “Me Perëndinë, gjithçka është e mundur” (Mt. 19:26)”.



Comments


bottom of page