top of page

E Shtune e Madhe


Uroj që kjo e kremte të jetë e mbushur me gëzim! Mund të themi që thuajse erdhi Pashka, megjithatë ende jo.Këtë të Shtunë të Madhe, Zoti Jisu Krisht i fal jetë të re të gjithëve sa besojnë tek Ai dhe bëjnë vullnetin e Tij. Evës, Adamit dhe gjithë Shenjtorëve Krishti u jep jetë të përjetshme.

Atë Alexander Schmemman thotë: Hidhërimi për Kryqëzimin e Krishtit që përkujtuam 1 ditë më parë nuk zëvëndësohet me gëzimin e Ngjalljes, por transformohet në të. Siç shprehet dhe Kryepiskopi ynë, + Anastasi, Ngjallja nuk është diçka që vjen pas kryqit, ajo gjendet brenda kryqit.

Teksa shkojmë në Kishë të shtunën në mëngjes, diçka bie në sy menjëherë: nuk ka më errësirë, stoli në ngjyrë të purpurt të errëta, por gjithçka është e çelur dhe stolitë janë të bardha. Gëzimi dhe ngazëllimi ndiehet kudo, e megjithatë ende nuk ka ardhur Pashka. Sot përkujtojmë Zbritjen e Zotit Krisht në Hadh. Në këtë ditë, ne presim Ngjalljen, duke ditur se Hadhi shkatërrohet sapo vjen Shpëtimtari, sepse vdekja nuk mund ta mbajë Atë që ka pushtetin mbi vdekjen.

Më pëlqen të lidh Zbritjen e Zotit Krisht në hadh me një profeci nga profeti Jona, që lexojmë të shtunën. Kjo është një nga historitë më të dashura nga Bibla për djalin tim, dhe unë e shfrytëzoj këtë për t’i shpjeguar Të Shtunën e Madhe.

Më poshtë kemi historinë për fëmijët tuaj, së bashku me paravolitë, të fokusuara në cdekjen, varrimin dhe Ngjalljen.


Na ishte një herë një burrë që e quanin Jona, të cilit i tha Perëndia të shkonte në Ninevi dhe atje të predikonte për Zotin banorëve vendas të këqinj. Mirëpo Jonai nuk donte të shkonte, madje përkundrazi, ai u nis me anije për në drejtimin e kundërt, në përpjekje për t’iu larguar Perëndisë.

Ndërkohë që po lundronte, zuri një stuhi e madhe, aq e madhe sa rrezikonte të përmbyste anijen. Marinarët po përpiqeshin të kuptonin se për faj të kujt kishte ardhur gjithë kjo stuhi. E kuptuan që Jonai ishte përgjegjës, e atëherë ky i fundit tha : “Më hidhni në ujë, dhe stuhia do të pushojë”.

Dhe ata kështu bënë. Jonai po mbytej, dhe i thirri fort Zotit duke iu lutur që ta ndihmonte. Këoti i dërgoi një balenë e cila e gëlltiti.

Ashtu si dhe Krishti vdiq në kryq dhe u shtri në varr.

Ashtu si dhe Krishti vdiq për shpëtimin e të gjithë atyre që besuan tek Ai dhe ecën sipas vullnetit të Tij.

Jonai u hodh në ujë në mënyrë që të gjithë të tjerët të mund të shpëtonin.

Gjatë kohës që qëndronte në barkun e balenës, Jonai i lutej Zotit ta falte që refuzoi t’i bindej atij për të shkuar në Ninevi.

Jonai qëndroi në bark të balenës për tri ditë e tri net.

Ashtu si dhe Krishti qëndroi në varr për tri ditë dhe tri net.

Pas tre ditësh balena e hodhi Jonain në bregun e detit.

Ashtu si dhe Krishti u ngjall nga varri të tretën ditë. Duke qenë se Krishti është Biri i Perëndisë, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, vdekja nuk kishte pushtet mbi Të.

Jonai mbërriti në Ninevi dhe filloi t’u tregonte njerëzve për Perëndinë, duke iu lutur Atyre t’i faleshin Atij. Dhe njerëzit besuan dhe iu falën Perëndisë. Ata u mbushën me dashurinë e Zotit dhe u larguan nga errësira.

Kështu na thërret dhe ne Krishti që t’i falemi Atij dhe të gjejmë shpëtim në dashurinë e Perëndisë.

Jeta e përjetshme iu ofrohet të gjithëve, por jo thjesht si diçka që dhurohet. Kjo kërkon gjithashtu dhe përpjekjen tonë. Duhet të pranojmë Krishtin në jetën tonë dhe të jetojmë në Krishtin. Duhet të kemi besim, dashuri, dhe pendim kur bëjmë gjëra të gabuara që na largojnë prej Perëndisë.



Këshillë: Mësoni përmendësh këtë himn të së Shtunës së Madhe: “Ngrihu o Perëndi, gjyko dheun, se Ti ke për të trashëguar gjithë kombet.”

Këndojeni këtë himn ndërkohë që merreni me punët e shtëpisë, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes dhe sidomos me fëmijët tuaj.


 

Punëdore: Loja me gota e Jonait

Këtë lojë ia prezantova së fundmi Moisiut dhe ai ndenji mbi një orë duke luajtur.


Nevojitet: Letër ose gotë plastike, litar ose fike spangoje rreth 45 cm. të gjatë, fletë, tullumbac, gërshërë, një dorë fasule të paziera, bojëra uji.

Udhëzime:

1. Vendosini fasulet brenda tek tullumbaci. Më pas fryjeni atë vetëm pak, dhe lidhjani grykën.

2. Fijen e spangos lidheni tek gryka e tullumbacit.

3. Vizato formën e një njeriu mbi tullumbacin. Ky njeri do të jetë Jonai.

4. Vizatoni 2 sy në të dyja anët e gotës plastike. Prit një vrimë të vogël në fundin e gotës, dhe kaloni nëpër të fijen e spangos, duke e futur nga pjesa fundore e duke e tërhequr brenda gotës. Më pas lidheni fijen që të mos dalë jashtë.

5. Tek fleta vizatoni bishtin e një balene.

6. Ngjiteni bishtin që vizatuat në fund të gotës, aty ku del dhe fija e spangos.

7. Ka dy mënyra për ta luajtur këtë lojë. Një mënyrë është duke e mbajtur gotën në ajër në mënyrë që fija të varet poshtë. Fëmijëve do t’u duhet ta tundin tullumbacin në ajër dhe të përpiqen ta fusin tek gota (barku i balenës).  Një tjetër mënyrë është duke e vënë gotën mbi tavolinë. Marrim tullumbacin e Joanit dhe përpiqemi të shënjojmë gotën, duke u munduar ta hedhim mbi të.

Para se të përgatisja këtë lojë, u mundova t’ia shpjegoj Moisiut se si profeti Jona ndenji tri ditë në barkun e balenës. Kjo shërbente si një profeci për Krishtin, i Cili gjithashtu ndenji tri ditë në varr. Kjo do të ishte kohë e përshtatshme për të folur pak edhe për bindjen dhe dëgjimin e fjalës dhe mësimit të Zotit.


 

Receta: Cheesecake

(e konsumojmë ditën e Pashkës)

Familja Ritsi, si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri, e ka shumë qejf cheesecake-un! Prandaj dhe unë doja të ndaja me ju recetën time sekrete për përgatitjen e saj.



 

Këtë të Shtunë të Madhe, le të transformohet dhimbja në gëzim. Le të përgatitim shtëpinë, mendjen, zemrën dhe shpirtin për të pritur Zotin e Ngjallur!

Qoftë kjo një E Shtunë e Madhe e bekuar, e mbushur me fuqi, gëzim dhe ngazëllim!



Comments


bottom of page