Të Premten e Madhe e të Shenjtë përkujtojmë kryqëzimin dhe varrimin e Zotit tonë Jisu Krisht. Përkujtimi i këtyre ngjarjeve nis të Enjten e Madhe, në shërbesën e Mëngjesores që bëhet të enjten në mbrëmje, në të cilën lexojmë 12 Ungjijtë. Përgjatë kësaj kohe, Krishti varet në kryq. Kur vijmë në kishë në mëngjesin e të Premtes së Madhe, Krishti qëndron ende mbi kryq.
Djali im mëson më lehtë nëse ka përpara një figurë të asaj që i shpjegoj. Në dyqanin e katedrales blemë një ikonë të Kryqëzimit të krishtit, të cilën e vendosëm në frigorifer. Kur unë dua t’i tregoj atij këtë histori, marr ikonën dhe ia shpjegoj djalit, duke i thënë:
Kishte shumë njerëz që e donin Krishtin, por ama kishte dhe nga ata që nuk e donin. Këta të fundit donin që atë ta kryqëzonin sepse ai thoshte që ishte Biri i Perëndisë, dhe këtë gjë ata nuk e besonin.
Ushtarët e plagosën dhe lënduan shumë Krishtin, aq shumë sa trupi i tij u mbush me plagë. Më pas vunë mbi të një kurorë dhe një rrobë, si ato që mbajnë mbretërit, mirëpo kurora ishte e bërë me gjemba dhe e vriste shumë. Këto ia veshën që ta tallnin. Guvernatori urdhëroi kryqëzimin e Krishtit, kështu atij i dhanë një kryq të madh e të rëndë, të cilin i duhej ta mbante në krahë përgjatë gjithë rrugës për në kodrën e Golgotha-së.
Krishti u rrëzua nga pesha e rëndë e kryqit, por një burrë i quajtur Simeon erdhi dhe e mbajti kryqin bashkë me të, për ta ndihmuar të arrinte në kodër. Aty, në atë vend, ushtarët gozhduan Krishtin në kryq.
Në atë kohë u kryqëzuan dhe dy të tjerë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të Krishtit. Njëri prej tyre i kërkoi falje Krishtit, dhe e luti: “Kujtomë o Zot, kur të vish në mbretërinë Tënde”. Jisui i tha: “Sot do jesh me mua në Parajsë.”
Pasdite, Jisui kishte etje, kështu njëri prej ushtarve ngjeu një sfungjer në utull, e vari në një shkop dhe ia afroi Atij që ta pinte.
E më pas Krishti vdiq.
Pasi vdiq, e zbritën nga kryqi dhe e vunë në një varr, i cili i përkiste Josifit të Arimatheas. Trupin ia lyen me vaj, miro dhe aroma të tjera.
Diskutim
-Këto janë disa nga pyetjet që mundohem të diskutoj me tim bir. Si mendoni?
-Ju ka ndodhur të vdesë një person i dashur? Nëse po, si jeni ndier?
-Në çfarë e kryqëzuan Krishtin?
-A mbani ju një kryq në kujtim të Tij?
-E keni provuar shijen e uthullës? (Mund t’i jepni fëmijëve apo familjarëve të provojnë uthull, ashtu si dhe Krishti).
-Ju ka ndodhur ndonjëherë të vriteni nga ndonjë gozhdë apo diçka tjetër e mprehtë? (Mund të gjeni një gozhdë a diçka të mprehtë e t’i thoni fëmijëve të prekin majën e saj).
-Më pas pyetini: Si mendoni se do ishte t’jua ngulnin këtë në duar dhe këmbë?
-Pse vdiq Krishti? (Ai vdiq për shpëtimin tonë, në mënyrë që ne të mund të jemi me Të në Parajsë)
-Lexoni/dëgjoni stancat e Vajtimeve të Përmbivarrshme që psalen në të Premten e Madhe. -Cili mendoni se është kuptimi i tyre? Ju pëlqejnë?
Së fundmi, Të Premten e Madhe e të Shenjtë do të ketë 3 shërbesa: Orët, Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja (në të cilën psalen dhe Vajtimet) , secila prej këtyre e bukur dhe e veçantë. Gjatë Orëve të Mëdha, i lutemi Krishtit të kryqëzuar. Në shërbesën e Mbrëmësores, Krishti zbritet nga Kryqi dhe vendoset në varr . Sipas mendimit tim, një nga himnet më të bukura që ne kemi në Kishën Orthodhokse janë Vajtimet, ku mblidhemi rreth varrit të Krishtit dhe i këndojmë.
Kur ndjekim këto shërbesa me tim bir, mundohem gjithmonë ta bëj të kuptojë se kjo është diçka që ka ndodhur vërtet. Nuk është thjesht një ngjarje që i takon 2000 viteve më parë, por po ndodh tani. TANI Krishti po kryqëzohet dhe po vdes. Sot ai vdiq dhe e shtrinë në varr.
Këshillë: Në këtë të Premte të Madhe, gjeni 10-20 minuta kohë heshtjeje.Le të jetë kjo një kohë individuale dhe familjare, për të qenë më pranë Krishtit. Mendoni për qetësinë që pllakosi kur Krishti rrinte i varur në kryq. Reflektoni për këto ngjarje dhe kujtoni se Krishti vdiq për shpëtimin tonë.
Punëdore: Aksioni i gjetjes së kryqeve
Kjo është një lojë vërtet e bukur, që mund ta luani bashkë me fëmijët tuaj.
Nevojitet: Fletë, lapsa/bojëra uji
1. Tek fleta vizatoni rreth 15-20 kryqe.
2. Fshihini ato më pas në vende të ndryshme nëpër shtëpi. Mund t’i fusni në sirtarë, në palë të librave apo edhe në kuzhinë.
3. Tregojini fëmijëve se sa kryqe keni fshehur dhe lërini të bëjnë një aksion kërkues për t’i gjetur të gjitha.
4. Pasi t’i gjejnë kryqet, nxitini të këndojnë edhe himnin e nderimit të Kryqit të Shenjtë: “Kryqit Tënd i falemi, o Krisht, dhe Ngjalljen Tënde të shenjtë himnojmë dhe lavdërojmë”.
Receta: Bukë Pashka
Recetë: Ҫyreku
Përbërësit:
1 lugë maja
½ lugë sheqer
¼ filxhan ujë të ngrohtë
½ filxhan gjalpë
¾ filxhan sheqer
¾ filxhan miell
¼ lugë mastikë
3 vezë,
4-5 gota miell
1 vezë dhe një lugë me ujë për t’u vendosur mbi brumin.
Udhëzime:
1. Përzieni majanë me ½ lugë sheqer në ujin e ngrohtë. Lëreni ashtu për 15 minuta.
2. Në një tigan ngrohni gjalpin, ¾ filxhan sheqer, qumështin dhe mastikën, derisa gjalpi të shkrijë dhe sheqeri të shpërbëhet. Më pas lëreni të ftohet.
3. Trazoni dy vezët
4. Në një tas hidhni një filxhan miell. Shtojini dhe përzierjen e gjalpit që bëmë më lart, majanë dhe vezët. Trazojini mirë. Hidhini më pas edhe dy filxhanë të tjerë me miell dhe vezën e tretë. Vazhdoni t’i hidhni miell derisa brumi të jetë i butë por jo që të ngjisë. Mbrujeni brumin për të paktën 10 minuta, dhe më pas vendoseni në një enë dhe lëreni ashtu për rreth 2 orë.
5. Masën e brumit ndajeni në dy pjesë. Në secilën prej tyre formoni 3 litarë të vegjël prej brumi, që të zgjaten aq sa të lejojë hapësira e enës. 3 litarët lidhini me njëri tjetrin që të formoni gërshet. Fundet e tyre bashkojini mirë që të mos ndahen gjatë gatimit.
6. Përzieni vezën bashkë me një lugë ujë. Me këtë përzierje lyeni sipërfaqen e brumit që përgatitëm. Mbulojeni më pas me një copë dhe lëreni të rritet në masë për rreth 30 minuta.
7. Piqeni në 170C për 40-45 minuta derisa buka të marrë ngjyrë të kafenjtë. Uleni më pas gradacionin dhe çojeni në 120. Lëreni të piqet derisa të mos jetë e butë në pjesën e poshtme.
Kjo është një nga ditët më të trishtuara të Kishës sonë. Më kujtohet se kur isha e vogël kisha tmerrësisht shumë frikë nga vdekja. Ishte diçka që nuk doja të vinte kurrë. Por tani kuptoj vdekjen e Krishtit, se si Ai vdiq për shpëtimin tonë, që ne të bëhemi pjesëtarë të Mbretërisë Qiellore. Mos harroni të reflektoni në heshtje duke parë ikonën e Kryqëzimit këtë ditë, dhe mendoni se çfarë kuptimi të madh ka ajo për ne si të krishterë orthodhoksë.
Krishti mundi vdekjen me vdekjen e tij, u ngjall dhe na dha jetë. Vdekja e Tij nuk shënon fundin e Javës së Madhe! Nesër dhe të dielën na pret pjesa më e bukur që përkujtojmë nga jeta e Tij tokësore.
Comentarios