Të Enjten e Madhe e të Shenjtë përkujtojmë darkën Mistike të Zotit Krisht me dishepujt e Tij, dhe agoninë e Gjethsemanisë.
Pjesa e Ungjillit për fëmijë (e ndarë në dy pjesë) është si vijon:
Në Jeruzalem festohej një e kremte e madhe, e quajtur Pashka, dhe dishepujt donin të dinin nëse do të mblidheshin të festonin e të thonin lutje të veçanta . Kështu, ata pyetën Krishtin: “Ku do ta përgatisim darkën e festës?”
Krishti i tha atyre: “Shkoni në qytet. Aty do të shikoni një burrë duke mbajtur një shtambë të madhe uji. Ndiqeni atë , pasi ai ka një shtëpi në të cilën ne do të mblidhemi të hamë darkën.”
Dy nga dishepujt, Petro dhe Joani, shkuan dhe ndoqën porosinë që i la Krishti. Pastaj, Ai erdhi bashkë me dishepujt e tjerë dhe ata u ulën pranë njëri tjetrit në tryezë.
Dishepujt kishin gjithë ditën që ecnin nëpër qytet dhe për pasojë, këmbët e tyre ishin ndotur shumë. Megjithatë, nuk kishin shërbëtorë që t’ua lante ato. Pra Jisui mori një enë me ujë dhe një peshqir, dhe nisi t’u lante këmbët atyre.
Kur mbaroi, u tha : “A e dini çfarë bëra? Megjithëse jam Zot, unë ju shërbeva juve.Tani nevojitet ju të shkoni në mbarë botën, dhe të ndihmoni e t’u shërbeni të tjerëve.
Dymbëdhjetë dishepujt kishin ndjekur Krishtin vazhdimisht, kudo që ai shkoi, mësoi dhe bëri mrekullira. Ata ishin shumë të afërt me njëri tjetrin.
Të gjithë dishepujt e donin shumë Krishtin, përveç njërit: Judës, që një ditë më parë kishte marrë 30 monedha argjendi si shpërblim për të tradhëtuar Krishtin.
Jisui e dinte se ai do ta tradhëtonte. Gjatë darkës, ai u thotë dishepujve: Njëri prej jush do më tradhëtoi. Asnjëri, përveç Judës nuk i kuptoi këto fjalë. Krishti vazhdoi: “Vazhdo të bësh atë që ke nisur.” Dhe me të thënë këtë, Juda u largua nga darka.
Gjatë darkës, Krishti mori bukën, e bekoi dhe jua ndau nxënësve të Tij duke thënë: “Merrni, hani, ky është Trupi Im!” Pastaj mori kupën e verës, tha lutjen e falenderimit, më pas ia dha nxënësve të Tij duke thënë: “Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku Im.”
Kjo ishte hera e parë që u mor Kungata e Shenjtë. Krishti vetë ua dha atë nxënësve të tij. Gjithashtu i porositi ta bënin këtë në kujtim të Tij.
Diskutim
A keni marrë pjesë më parë në një festë? Si ju është dukur?
Ju pëlqen të jeni pranë familjarëve apo shokëve tuaj kur hani? (Psh. në shkollë apo në shtëpi.)
Si e shikoni larjen e këmbëve të ndotura të dishepujve nga vetë Krishti? A do e bënit dhe ju këtë për njerëzit që doni?
Ku tjetër e dëgjojmë frazat : “Merrni, hani, ky është Trupi im” dhe “”Pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im? (Sa herë marrim pjesë në Liturgjinë Hyjnore, dëgjojmë keto fraza të thëna nga dhespoti apo prifti, përpara se të Kungohemi.Vetë Krishti ua dha ktë bukë dhe verë dhishepujve të Tij dhe çdo herë që kremtojmë Eukaristinë Hyjnore në Kishë, ne e bëjmë këtë në kujtim të Krishtit.)
Le të vazhdojmë me pjesën e Ungjillit:
Pasi darka mbaroi, Jisui u largua bashkë me dishepujt, dhe shkuan në një kopsht në të dalë të qytetit. Jisui tërhiqej në këtë vend sa herë që donte të lutej. Ai i kerkoi dishepujve të qëndronin me Të ndërkohë që lutej. Më pas Krishti u lut për një kohë të gjatë, ndiehej shumë i hidhëruar. E ndërsa u thye tek nxënësit e Tij, pa që të tre (Petro, Joani dhe Jakovi) kishin rënë në gjumë! Ata u zgjuan, ndërsa Krishti u tërhoq prap që të lutej. Si u kthye për herë të dytë, pa që dishepujt i kishte zënë gjumi përsëri!
Në fund Ai u tha atyre: “Zgjohuni, duhet të ikim. Ai që do më tradhëtojë është duke ardhur.”
Ndërsa ishte duke folur, vjen Juda me një grup të madh ushtarësh. Para se të arrinin , Juda iu kishte thënë atyre: “Do ta përshëndes me puthje atë që ju doni të arrestoni, dhe kështu do ta kuptoni se kush është.”
Pra kur Juda sheh Krishtin në park, ai shkoi dhe e puthi në faqe. Dhe ushtarët e kuptuan dhe menjëherë e arrestuan Atë. Dishepujt, të trembur, u shpërndanë. Vetëm Petro e ndoqi Krishtin në rrugën që po e çonin.
Diskutim
Kur ju i luteni Perëndisë, çfarë i kërkoni Atij?
Pse mendoni se i zuri gjumi dishepujt?
Si u ndjetë kur Juda puthi Krishtin dhe ushtarët e arrestuan?
Sonte , kur të darkoni, do doja që secili anëtar i familjes suaj të ndante me ju tre gjëra: 1. Diçka për të cilën janë mirënjohës. 2. Diçka që i pëlqen shumë nga njëri prej familjarëve. 3. Diçka që i vështirësoi sot.
Më pas, para se të flini, mund t’i kujtoni në lutjen e Pasdarkës të gjithë anëtarët dhe të gjithë vështirësitë e tyre.
Punëdore: lyerja e vezëve
Sipas traditës, të Enjten e Madhe lyejmë vezët e Pashkës.
Do të tregoj shkurtimisht historinë e vezës së Pashkës dhe arsyen se pse i lyejmë pikërisht me bojë të kuqe, megjithëse ju mund t’i lyeni në cilën ngjyrë të doni.
Në botën e Krishterë Orthodhokse, vezët e Pashkës lyhen të Enjten e Javës së Madhe. Ngjyra e tyre e kuqe simbolizon gjakun që derdhi Krishti në Kryq, veza e bardhë (përpara lyerjes) simbolizon varrin e bardhë prej mermeri në të cilin u vu trupi i Tij, pasi u hoq prej Kryqit, ndërsa lëvozhga simbolizon varrin e vulosur. Ditën e Pashkës së Madhe, besimtarët kanë zakon të përplasin vezët me njëri-tjetrin, duke i çarë lëvozhgat, gjë që simbolizon triumfin e Krishtit mbi pushtetin e vdekjes dhe Ngjallen e Tij.
Në Kishën Orthodhokse, ngjyra e kuqe e vezëve lidhet me shumë gjëra.
Ushtarët romakë i hodhën Krishtit përsipër një pëlhurë të kuqe, duke e tallur e duke e quajtur “Mbret të Judenjve”, ndërkohë që e torturonin fizikisht.
Po ashtu, edhe dy vjet pas Ngjalljes së Tij, ndërsa MariaMagdalena po shkonte për në Jerusalem duke mbajtur një shportë me vezë, u ndesh me Tiberiusin, guvernatorin që kishte zëvendësuar Pont Pilatin. Ajo i uroi atij mirëseardhjen në Jerusalem dhe i tha se shpresonte se do të ishte më i drejtë se paraardhësi i tij në post, i cili kryqëzoi të Birin e Perëndisë, por ky i fundit u ngjall përsëri pas tri ditësh.
Tiberius-i i tha se do t’i besonte të gjitha këto mrekulli që thuheshin se kishte bërë Krishti, bashkë me Ngjalljen e Tij, vetëm nëse vezët që ajo mbante në shportë do të ktheheshin në ngjyrë të kuqe. Edhe ja, në çast vezët u bënë të kuqe! Maria Magdalena ia dha njërën vezë Tiberiusit, dhe mori edhe një për vete. Më pas, i tha atij: “Krishti u ngjall”, dhe ai u përgjigj: “Vërtetë u ngjall!”.
Sipas një tradite tjetër, ishte një herë një grua që nuk besonte në Ngjalljen e Zotit Krisht. Ajo mbante në dorë disa vezë, dhe tha: “Nëse këto vezë bëhen të kuqe, atëherë do të besoj. Dhe mrekullisht vezët u kthyen në ngjyrë të kuqe.
Kjo ngjyrë simbolizon gjithashtu edhe gëzimin paskal.
Këtë të Enjte të Madhe, le të jemi më pranë atyre që duam, ashtu si dhe Krishti i ndenji pranë nxënësve të Tij. Le të përkujdesemi e të lutemi për ta. Të kujtojmë se si Krishti i lutej Atit Qiellor, e të mos na zerë gjumi ashtu si dishepujt. Le të bëhemi shembull për fëmijët tanë për mënyrën si lutemi dhe si e dëgjojmë Perëndinë. Dhe mos harroni të mbani në lutje gjithë të krishterët orthodhoksë në familjet tuaja, dhe në të gjithë botën.
Comentarios