Në mëngjesin e të Martës së Madhe e të Shenjtë, gjatë Meshës së Parashenjtëruar dëgjojmë një pjesë shumë të bukur të Ungjillit.
Jisui i tregon dishepujve e miqve të Tij një paravoli: Ishin njërherë 10 virgjëresha, pra vajza që pritnin dhëndrin të vinte në dasmë. Ato kishin si detyrë të ecnin bashkë me të kur ai të vinte, e të ndriçonin rrugën me anë të llampave të vajit që mbanin në duar. Për këtë i duhej që kishin me vete shumë vaj, që të ishin gati. 5 prej tyre, të cilat ishin të mençura, morën me vete shumë vaj, në mënyrë që të mos t’i mbaronte. Mirëpo 5 të tjerat ishin të marra dhe nuk morën vaj me vete për llampat.
U bë shumë vonë dhe të gjitha vajzat ranë në gjumë.
Në mesnatë, dhëndri erdhi dhe të gjithë nisën të thonin: “Ja ku erdhi! Ejani dhe përshëndeteni!” Të gjitha vajzat u ngritën dhe nisën të përgatiteshin e të ndiznin llampat e tyre. Të marrat i thanë të mençurave: “Na ka mbaruar vaji, na jepni pak nga vaji juaj.”
Por nuk kishte më kohë që vajzat t’i jepnin atyre vaj dhe t’u tepronte dhe për vete. Kështu, vajzat e marra vrapuan të blinin vaj. Por ndërsa atyre iu desh të iknin, dhëndri erdhi dhe u fut me vajzat e mençura në dasmë. Dera u mbyll. Kur të marrat u kthyen, i ranë derës dhe thërrisnin: “Na lini të hyjmë!”. Ama ishte tepër vonë. Dhëndri iu tha atyre: “Nuk ju njoh juve.”
Pasi Jisui mbaroi së treguari paravolinë, Ai tha: “Jini gjithmonë zgjuar dhe vigjeilentë, kurdoherë të jeni gati, sepse nuk e dini ditën dhe orën kur do të vijë Biri i Njeriut.”
Diskutim
Kush mendoni se është dhëndri?
A është Jisui i Biri i Njeriut, për të cilin u fol në paravoli?
Si mund të përgatisim ne veten tonë për Krishtin?
Çfarë mund të bëjmë për të pasur një jetë Krishtqëdrore?
Çfarë është falja?
A mendoni se falja është e rëndësishme në një jetë me qendër Krishtin? Pse/ Pse jo?
Pse është e rëndësishme të jemi të gëzuar kur të takojmë Birin e Njeriut, dhe jo të ndjejmë turp nga mënyra si kemi jetuar?
Në ardhjen e dytë të Krishtit, nevojitet të jemi gati! Të jemi si 5 vajzat e mençura, të cilat u kujdesën të merrnin vaj me vete. Vërtet nuk do të kemi llampa vaji për të pritur Krishtin, por do të kemi me vete gjithçka çfarë kemi bërë në këtë jetë: të mirat e të këqijat. Mund të përgatitemi duke bërë vepra të mira, të pëlqyeshme për Perëndinë; gjithashtu dhe duke kërkuar falje me pendim të thellë për të këqijat që kemi bërë. Ato gjëra që na bëjnë ne ose ata që na rrethojnë që të ndiehen keq, gjëra të cilat e dime se Krishti nuk do që t’i bëjmë, si psh. : T’i ngrejmë zërin prindërve, vëllezërve a motrave, të vjedhim, të zihemi, të themi fjalë jo të hijshme apo të mos dëgjojmë të tjerët. Përkundrazi, ne duhet : të përdorim fjalë të hijshme, të duam familjen tonë dhe të bëjmë gjëra që ata do t’i bënin të lumtur, të ndihmojmë ata që vuajnë, gjithnjë të kërkojmë falje dhe të falim të tjerët që na lëndojnë ne.
Na duhet të kujtojmë gjithmonë se Krishti do që ne të jemi me Të. Nëse do të duam vërtet të jemi me të, kurrë nuk do të na braktisë.
Punedore: Balona pëllumb
Është e domosdoshme të kujtojmë që Perëndia është me ne në çdo moment të ditës. Prandaj duhet të qëndrojmë përherë vigjilentë. Ndonjëherë kjo gjë mund të jetë disi e vështirë, sidomos për fëmijët. Për të qenë të sinqertë, edhe ne të rriturit vështirësohemi shumë në këtë pikë. Për t’ia shpjeguar Moisiutse si mund të qëndrojë vigjilent, unë përdor një nga veprimtaritë kreative që gjenden në kalendarin e Draw NearDesigns. Emri i kësaj veprimtarie apo punëdoreje është “Balona pëllumb”.
Moisiut i pëlqen shumë të ngrejë balona. Një herë shkuam tek Kepi i Rodonit dhe ai po mundohej të mbante balonën të ngritur, por atë ditë kishte shumë erë. Unë dhe dhjak Stefani po qëndronim pranë tij, megjithatë e lamë ta mbante vetë fillin e balonës, duke e këshilluar të mos e shkëpuste vëmendjen nga balona dhe nga drejtimi ku e lëvizte era. Papritur fryu një erë e fortë që ia shkëputi fillin nga dora Moisiut, dhe balona përfundoi tek një pemë. Sa shumë u mërzit! Thoshte vazhdimisht se duhet të kishte qenë më i kujdesshëm e të na kishte dëgjuar më me vëmendje. Madje akoma e përmend ndonjëherë. Lavdi Zotit, dhjak Stefani arriti ta kapte përsëri balonën. Tani Moisiu ka shumë kujdes kur luan me të dhe nuk ia ndan sytë, sepse e mori mësimin. Mundohem t’i shpjegoj se këtë lloj kujdesi dhe vigjilence duhet ta kemi çdo ditë, të jemi të gatshëm ta dëgjojmë Krishtin dhe të mos largohemi kurrë prej Tij. Ashtu siç kujdesemi për balonën kur e ngremë në një ditë me erë, po kështu nevojitet kujdes si në fjalët tona, ashtu edhe në veprimet, që të jemi kurdoherë gati për Zotin tonë.
Balona pëllumb
Nevojiten: 1 fletë e bardhë, bojëra uji ose dhjami, shirit ose fije spangoje 1-1.5 metra të gjatë, kapës letrash, pajisjen që shpon vrima në letër.
Udhëzime:
1. Vizatoni dhe zbukurojeni letrën në të dyja anët.
2. Paloseni letrën më dysh, si libër. Pasi ta palosni, vendosni vizoren nga pjesa e sipërme e fletës, dhe vini një shenjë A 6 cm distancë nga kufiri i sipërm i fletës, dhe një tjetër B, në 9 cm distancë.
3. Palosni 2 cepat e fletës dhe bashkojini bashkë në pikën A, duke përdorur kapësen e letrave.
4. Shponi një vrimë në pikën B. Kini kujdes që vrimën ta shponi pak në distancë nga vendi i palosjes, që të mos griset kur të kaloni spangon në të.
5. Kaloni një spango a shirit të gjatë përmes vrimës dhe pastaj lidheni.
6. Kap fundin e spangos dhe fillo të vraposh. Ki kujdes mos të të fluturojë balona nga duart!
Receta
Këtë të Martë të Madhe, falni të gjithë ata që njihni, për gjithçka. Mos pritni që ata t’ju kërkojnë falje juve, por falini ju ata dhe mos mbani pengje në mendje apo zemër. Fokusohuni në Krishtin dhe imitoni shembullin e e dashurisë dhe faljes së Tij.
Comments