top of page

Fuqia e Dashurise

Duhet të duam Zotin, veten tonë, familjen, miqtë, të afërmit, madje dhe armiqtë tanë.

Le të kthehemi tek dashuria. Si t’ia shpjegosh një tre vjeçari në mënyrë praktike se duhet të dojë Zotin, veten, familjen etj.?



Këtë herë do të doja të flisja për diçka që theksohet në qindra fragmente të Shkrimit të Shenjtë: fuqinë e dashurisë. Kjo përbën një temë shumë të gjerë, por do të doja të ndalesha në mënyrat se si mund t’ia transmetojmë fëmijëve tanë dashurinë e madhe që na ka falur Perëndia.

Le t’ia nisim me një varg shumë të njohur për të gjithë të krishterët:

“Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.” (Jn. 3:16)

Reflektoni pak për një moment... sa shumë shpresë të japin këto fjalë!

“Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.” (Jn. 3:16)

Nuk është e lehtë t’ia shpjegosh fëmijëve apo të tjerëve këtë dashuri kaq të madhe të Perëndisë. Edhe unë ndonjëherë e shoh shumë të vështirë t’i shpjegoj besimin djalit tim që është tre vjeç e gjysmë. Si mund t’i ndihmojmë ata të kuptojnë mësime të tilla që nuk janë të lehta për t’u kuptuar?

Dua të ndaj me ju disa mënyra që unë kam zgjedhur për të mësuar tim bir.

 

Bibla na mëson se dashuria është prej Perëndisë dhe se Perëndia është dashuri.

Në letrën e parë të apostull Joanit lexojmë: “Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.” dhe “Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë.” (1 Jn. 4:8 dhe 4:16).

Kur flasim për dashurinë e Perëndisë, nuk nënkuptojmë thjesht një “ndjenjë”. Ai na do edhe kur jemi të mbuluar në gabime dhe të palumtur, na do gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje.

Në librin e profetit Jeremia lexojmë: “Shumë kohë më parë Zoti m’u shfaq duke thënë: Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.” (Jer. 31:3)


 

Kohët e fundit, një natë, ndërsa po e përgatisja tim bir për të fjetur, më pyeti: “Mami, si ta kuptoj unë që Krishti dhe engjëjt më duan ndërkohë që unë nuk arrij dot t’i shoh ata?”


Mbeta pa fjalë për një moment, pasi në të vërtetë, kjo është një nga pyetjet që akoma po përpiqem ta kuptoj brenda vetes time. Në epokën ku jetojmë, jemi të përfshirë në një mentalitet të tipit: “të shoh që të mund të besoj”. Nëse nuk arrijmë ta dallojmë diçka, nuk arrijmë dot as ta besojmë. Madje edhe më keq akoma, nëse nuk arrijmë ta dallojmë me sytë tanë, ose ta verifikojmë me anë të metodave shkencore, dalim direkt në përfundimin se nuk ekziston. Ka momente që edhe unë vetë ngec në këtë temë. Më pas, m’u kujtua se kur isha e vogël dhe lutesha, e ndieja praninë e Perëndisë.


Kështu, ia ktheva Moisiut: “ Perëndia na do të gjithëve. Kemi siguri të plotë se Zoti dhe engjëjt janë bashkë me ne, sepse Ai vetë na e ka thënë. Fakti që nuk arrijmë dot t’i shohim nuk do të thotë se ata nuk janë me ne. Duke dashur Zotin, duke u lutur dhe duke shkuar në kishë, arrijmë të kuptojmë se Perëndia është gjithmonë me ne.”


Më pas, ai m’u përgjigj ëmbëlsisht: “Nëse ndonjëherë do të ndiej sikur ata nuk janë me mua, do të shtrëngoj fort kryqin që të mos harroj kurrë.”


 

E dimë se Perëndia na do. Ai erdhi në botë, që kushdo që ta dojë të mos vdesë, por të ketë jetë të përjetshme. Këtë ngjarje të mrekullueshme do të festojmë pas pas pak javësh: ardhjen e Zotit Krisht në botë.

Mirëpo ndërkohë që i afrohemi kësaj feste të madhe, ndodh që të tërhiqemi dhe shpërqendrohemi nga shoqëria jonë materialiste. Nuk themi se çdo gjë që na afron me shoqërinë ku jetojmë është e gabuar, përkundrazi, është bukur të përjetosh atmosferën e festave. Këtu në Tiranë, tashmë që prej tre javësh kanë zbukuruar qendën e qytetit, duke vënë një pemë të madhe Krishtlindjesh dhe shumë dyqane dhe restorante të zbukuruara me drita të panumërta. Kudo në media bëhen thirrje për t’iu bashkuar festave të fundvitit. Mirëpo këtu hasim një deformim të qëllimit që ka kjo festë, duke i dhënë kuptim tërësisht material.

Mundohem t’i përsëris djalit herë pas here se qëllimi i Krishtlindjes nuk qëndron në dhuratat apo të ngrënët e të pirët. Ka raste kur sidomos fëmijët e vegjël mendojnë se i “duan” disa gjëra materiale. Zoti më ka bekuar me një bashkëshort shumë të mirë, që gjithmonë na kujton se nuk mund të themi që i “duam” sendet, por thjesht mund t’i pëlqejmë ato. Nevojitet patjetër të kemi ndër mend këtë ndryshim mes pëlqimit dhe dashurisë.


Gjatë kësaj periudhe, ne të krishterët thirremi të fokusohemi në dashurinë e Perëndisë. Si ta aplikojmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë? Dhe si t’i mësojmë t’i duam të tjetër, ashtu siç na do Perëndia ne?

Dashuria e Zotit ndryshon shumë nga ajo që ne përjetojmë në përditshmërinë tonë. Nuk i ngjason aspak filmave që shohim në televizor. Ka raste kur është shumë e vështirë t’i tregojmë të afërmve tanë se i duam, me dashurinë që na mësoi Krishti.

Ka një lloj të veçantë dashurie që mund të kemi për të tjerët, e cila quhet agapi (nga greqishtja). Kjo lloj dashuri nënkupton t’i shohim të tjerët ashtu siç ata janë në sytë e Perëndisë.

Moisiut më pëlqen t’ia shpjegoj në këtë mënyrë: Mendo sikur një ditë të kesh vënë një palë syze të veçanta, të cilat të mundësojnë t’i shikosh të gjithë njerëzit me dashuri, ashtu siç duken dhe në sytë e Zotit. T’i duash siç ti do dhe prindërit, gjyshërit apo shokët e tu.

Nuk është e lehtë ta zbatojmë këtë në jetën tonë të përditshme. Na qëllon shumë herë të zemërohemi me dikë, t’i bërtasim apo thjesht të mos kemi dashuri për njerëzit, duke menduar se nuk e meritojnë dashurinë tonë. Por nëse Perëndia i do të gjithë dhe ne duam Zotin, si mund të mos i duam dhe ata?

Shpesh më pyet im bir: “Mami, për kë duhet të kem dashuri?” Duhet të duam Zotin, veten tonë, familjen, miqtë, të afërmit, madje dhe armiqtë tanë.



Le të kthehemi tek dashuria. Si t’ia shpjegosh një tre vjeçari në mënyrë praktike se duhet të dojë Zotin, veten, familjen etj.?


Duke dashur Zotin

Cilat janë disa nga mënyrat se si ne mund ta duam Perëndinë? Nuk është aq e vështirë sa mund të mendojmë. Të mendojmë se si ia tregojmë familjarëve tanë se i duam? Ne komunikojmë me ta, i dëgjojmë, bëjmë gjëra të ndryshme për ta. Të gjitha këto mund t’i bëjmë dhe në marrëdhënien tonë personale me Perëndinë. Vërtet nuk arrijmë dot ta prekim, por mund të komunikojmë me Të, e ta dëgjojmë kur Ai na flet në thellësi të zemrave tona. Nëpërmjet librave të ndryshëm katekizues mund të mësojmë më tepër për Të, dhe t’i bindemi vullnetit të Tij.

Duke dashur eten

Si ta duam veten tonë? Dashuria për vetveten nuk nënkupton të mendojmë se qëndrojmë më lart se të tjerët. Në letrën e apostull Pavlit drejtuar Efesianëve (5:29), ai shkruan: “Sepse askush ndonjëherë s'e urreu trupin e tij, po e ushqen dhe e ngroh, sikurse edhe Zoti kishën.” Ndonjëherë nuk është e lehtë që fëmijët të kuptojnë se dashuria për vetveten nuk nënkupton të bëjnë ato gjëra që i pëlqejnë. Nëse do ta lija Moisiun të hante si të donte, do të ishte i sëmurë dhe obez. Nëse do ta lija të zgjidhte të bënte ç’të donte, nuk do të shkulej nga televizori.

Si prind, duhet t’i mësoj se di ta kontrollojë ushqimet që ha, duke përfshirë edhe frutat e perimet. Mënyra të tjera për të dashur veten është të shohim mirë nga të dyja anët e rrugës para se të kalojmë, të flemë mjaftueshëm, të dalim mirë në mësime, të lexojmë libra edukues e të shkojmë në kishë. Duhet të kemi ndër mend gjithmonë se, ne që jemi të pagëzuar kemi shpirtin e Perëndisë në vetvete. Jemi krijuar sipas ikonës së Tij dhe vetë Perëndia na kërkon t’i japim vetes dashurinë dhe respektin e duhur.


Duke dashur Familjet tona

Si ta duam familjen tonë? Uroj që kjo pikë të jetë relativisht e lehtë, megjithëse në familjen time kemi ende probleme. Jua kam thënë dhe më parë se para dhjetë vitesh nuk i fola mamasë time për një vit të tërë. Unë dhe motra ime po ashtu. Por, më vonë kuptova se isha thirrur që ta falja atë dhe t’i jepja dashuri.

Fatkeqësisht, nuk ndodhi e njëjta gjë me motrën. Ajo akoma nuk do ta falë apo të ketë dashuri për mamanë. Megjithëse mund të na qëllojë të zemërohemi me anëtarët e familjes sonë, përsëri jemi të thirrur që t’i duam. Gjëja më e keqe është se kjo ftohtësi e motrës sime po e dëmton shumë familjen e saj. Falja që buron nga dashuria ka fuqi shëruese. Askush nga ne nuk mund ta ndryshojë familjen të cilën na e dha vetë Perëndia.

Unë dhe im shoq mundohemi t’ia themi shpesh djalit tonë se familja jonë ka dashuri për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin, ne i besojmë njëri-tjetrit dhe themi gjithmonë të vërtetën. Rruga e së vërtetës mund të mos jetë gjithnjë e lehtë. Ndonjëherë na frikësojnë pasojat që ajo mund të ketë. Për një fëmijë, është më e lehtë t’i shmanget të vërtetës nëse kjo e fundit do ta mërziste mamin ose babin. Ne i themi gjithmonë se do ta duam pavarësisht të gjithave, dhe se nuk duhet të ketë frikë të na thotë të vërtetën. Më mirë të përballemi me pasojat e së vërtetës, sesa t’i shmangemi asaj dhe të fillojmë të mashtrojmë njëri-tjetrin. Këto janë disa nga mënyrat që i mësojmë djalit tonë se si të shfaqë dashurinë.


Duke dashur Miqtë tanë

Si t’i duam miqtë tanë?

Miqtë dhe shokët janë njerëzit që ne zgjedhim për t’i bërë pjesë të jetës sonë. Njerëz me të cilat mund të na lidhin interesat e përbashkët, vlerat ose këndvështrimi për jetën. Ashtu siç ndodh dhe në rrethin familjar, duhet t’i duam miqtë tanë edhe kur nuk biem dakord me ta. Duhet të kemi gjithnjë ndër mend dashurinë e pakushtëzuar të Perëndisë, dhe të krijojmë marrëdhënie të shëndosha mbi bazën e faljes dhe besnikërisë. Në moshën e Moisiut, është pak e vështirë ta njoh me shokë të rinj. Mundohemi ta mësojmë të gjejë shokë që e trajtojnë mirë, e duan dhe ndajnë të njëjtat vlera familjare. Në moshën e tij, duhet mbikëqyrur vazhdimisht në këtë pjesë. “Mos shtyj, mos kap, fol mirë”- mundohem të jem gjithnjë pranë tij kur është duke luajtur me shokët, që ta udhëzoj dhe ta ndihmoj të krijojë shoqëri të bazuara në themelin e dashurisë.

Një ditë, kur po luanim në park, ai njohu një shok të ri, Arlon. Fillimisht ngurroi t’i jepte lodrat e tij që të luanin bashkë (ende po mundohemi ta ndihmojmë në këtë pjesë). Por më pas, Arlo zuri ta ndihmonte për të formuar një kala prej rëre. Kështu, nisën ta ndërtonin së bashku dhe atëherë Moisiu ia dha dhe atij lodrat. Megjithëse nuk njiheshin, ndenjën rreth dy orë duke luajtur së bashku. Në një moment Moisiu u pengua në një trung peme dhe Arlo nxitoi ta ndihmonte që të ngrihej përsëri. Më jep shumë gëzim kur i shikoj fëmijët të sillen me njëri-tjetrin me dashuri.


Duke dashur të gjithë rreth nesh

Menjëherë lind pyetja se kë konsiderojmë të afërm. Nuk bëhet fjalë vetëm për ata që banojnë pranë nesh, por për të gjithë njerëzit me të cilët komunikojmë, që nga punonjësi i supermarketit, polici rrugor, ata që qëndrojnë pranë nesh në autobus, deri tek lypësit në derën e kishës. Mundohem ta nxis gjithmonë Moisiun që të sillet me dashuri kundrejt tyre, ndoshta thjesht duke e përshëndetur punonjësin e supermarketit, duke ia bërë me dorë policit në shenjë falënderimi, duke i liruar vendin ndokujt në autobus ose duke i dhënë ndonjë ushqim atyre që lypin. Fillimisht duhet që ne vetë të jemi shembull për fëmijët tanë.


Duke i dashur armiqtë tanë

Si t’i duam armiqtë tanë?

Uroj që të mos keni asnjë armik, por fundja ka gjithmonë persona me të cilët mund të mos shkojmë mirë apo të mos ndajmë bindje të njëjta. Ka shumë njerëz në këtë botë të cilët nuk besojnë në Zot dhe madje bëjnë gjëra që e lëndojnë Atë. Mua më pëlqen të përdor këtë shembull: që nga koha e Pashkës, tim biri i pëlqen të vizatojë Golgotha-në, vendin ku kryqëzuan Krishtin. Ai ka mësuar se bashkë me të u kryqëzuan edhe dy keqbërës, ku njeri prej tyre kërkoi të falur dhe shkoi në parajsë, ndërsa tjetri jo. Por diçka që Moisiut i është ngulitur në mendje, janë fjalët e Krishtit: “O Atë, ndjeji ata sepse nuk dinë se ç’bëjnë.” (Llk. 23:34). Edhe në atë gjendje të mjeruar e plot me dhimbje, Jisui nuk kërkoi ndihmë për veten e Tij, por tregoi dashurinë e madhe që kishte për armiqtë e Tij, ata që e kryqëzuan. Këtë shembull i jap dhe Moisiut. Ai e di se ata që e kryqëzuan ishin njerëz të këqij, por përsëri ne duhet t’i duam, ashtu siç i deshi edhe Zoti.



Ndonjëherë, duket pothuajse e pamundur të ushqesh dashuri për njerëz të tillë. Pothuajse! Por ama jo tërësisht e pamundur, në sajë të ndihmës së Zotit. Duke kërkuar ndihmën e Tij, do arrijmë të kemi dashuri për ta.

Do shumë kohë dhe përpjekje nga ana jonë, që të arrijmë të mësojmë të duam me dashurinë e Perëndisë. Pa ndihmën e Tij padyshim që nuk ia arrijmë dot. Lutem që jo vetëm gjatë kësaj kreshme, por gjatë gjithë kohës në vazhdim, të mësojmë të jetojmë me dashurinë që Zoti na mësoi. Ta dëshmojmë këtë ndjenjë tek familja jonë, të afërmit, miqtë dhe armiqtë.


Ju uroj një javë të bekuar, plot me dashuri.


Përkthimi nga anglisht në shqipe: Ana Bërbati

Comentarios


bottom of page