Pas disa ditësh ne do të festojmë Të Kremten e të Kremteve, Pashkën e Madhe dhe të Shenjtë. Për të krishteret orthodhoksë, kjo është një E Kremte e gëzueshme dhe e shumëpritur. Për mua, është një nga festat e preferuara.
Por të jem e sinqertë, është e vështirë të fokusohem në gëzimin dhe emocionin e Pashkës kur ka kaq shumë gjëra të tjera që tërheqin vëmendjen time gjatë Javës së Madhe. Për shembull, gatimi, pastrami, pazari, puna, fotografitë, të fjeturit mjaftueshëm dhe në mes të gjithë këtyre, të përgatis mendjen dhe shpirtin tim për atë që na ofron kjo Festë e Madhe si të krishterë orthodhoksë, dhuratën e jetës së përjetshme.
Edhe duhet të sigurohem që burri im të ketë çdo gjë gati për shërbesat, sepse ai është Dhjakon, dhe një tjetër gjë kryesore është të sigurohem që im bir të kuptojë sa e rëndësishme është kjo periudhë në Kishën tonë. Gëzohem duke u kujdesur për familjen time, dhe mënyra sesi e tregoj dashurinë time është duke u siguruar që im shoq i ka rrobat dhe veshjet e shërbesave të hekurosura, djali im ka marrë mësime të shkurtra gjatë Javës së Madhe, si dhe sigurohem që ata të dy të kenë çdo gjë që u nevojitet gjatë ditës.
Ndonjëherë është e vështirë të shkojmë për shërbesat e të Dielës. Dhe e di se jam e lodhur pas Liturgjisë pasi jam kujdesur për tim bir dhe i kam shpjeguar atij çdo gjë. Tani, gjatë Javës së Madhe, ndonjëherë ka shumë shërbesa në ditë! Uh! Nëse menduat se ishte e lodhshme të dielën mbasdite, kur ktheheni nga kisha, prisni sa të vijë Java e Madhe! Por, pasi shikoni gëzimin dhe emocionin në sytë e fëmijës tuaj ndërsa nderojnë Kryqin, varrin, Epitafin, dhe marrin dritën e Krishtit, nuk krahasohet me asgjë.
Kujtimet e mia më të vjetra nga Java e Madhe dhe Pashka janë të mira dhe të këqija. Të qenit një grua miroprurëse me miqtë e mi dhe hedhja e luleve te Varri; nëna ime që i bërtiste motrës pasi digjte flokët me qiriun e Pashkës; kur vrapoja rreth e rrotull me kushërinjtë mbas Liturgjisë së Pashkës; nëna ime që më bërtiste kur bëja pis fustanin e Pashkës përpara se të niseshim për Kishë; si dhe kur largoheshim nga Kisha pasi merrnim Dritën e Shenjtë.
Po, e dëgjuat mirë. Përpara se të shkoja në Akademinë Teologjike në Boston, nuk qëndroja në shërbesën e Liturgjisë Paskale, nuk merrja kungatën dhe nuk qëndroja gjatë gjithë shërbesës. Duke u rritur, nuk e kisha kuptuar mirë që Pashka nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e Dritës së Shenjtë. Babai im dhe familja e tij janë nga Greqia, dhe tradita që ata kishin ishte të shkonin në Kishë natën e Pashkës, të merrnin dritën, ta sillnin menjëherë në shtëpi, dhe të festonin. Të them të vërtetën, nuk e kam ditur kurrë më parë që kulmi i shërbesës në natën e së shtunës ishte Liturgjia dhe Kungimi, dhe pikërisht atëherë mund të prishej edhe kreshma.
Ka shumë tradita dhe ide me të cilat unë u rrita në Kishën Orthodhokse. Disa prej tyre vazhdoj t’i ndjek edhe sot e kësaj dite: Shportat e Pashkës; zbukurimi i shtëpisë dhe vajtja në Kishë. Më kujtohet që një vit, kur isha në universitet, gjatë Javës së Madhe u ktheva në shtëpi. Ishte shërbesa e të Enjtes së Madhe në mbrëmje, kur Krishti i vendosur mbi Kryq sillet rrotull Kishës, në një procesion. Ishte hera e parë që shkoja në atë shërbesë. Më kujtohet që pata një ndjesi dhimbjeje të madhe. Ishte hera e parë kur vërtet e kuptova dhe u ndjeva e mërzitur për atë që i kishte ndodhur Krishtit. Ta shikosh Atë mbi Kryq, me përmasat e një njeriu të vërtetë, e bën edhe më shumë reale.
Si nënë, çdo vit jam duke mësuar diçka të re rreth Javës së Madhe, vuajtjeve të Krishtit, dhe Pashkës së Madhe e të Shenjtë. Mendoj se Java e Madhe, e cila arrin kulmin me Pashkën, është periudha më e bukur e vitit. Ne kemi mundësinë të jemi pjesë çdo ditë e të jetojmë në hapat e Krishtit. Udhëtimi drejt Kryqit nuk është një udhëtim që Krishi e bën i vetëm. Ne jemi të thirrur, si të Krishterë Orthodhoksë, të bashkohemi me Të në këtë udhëtim për të kuptuar realitetin e mëkatit dhe vdekjes. Ne jemi të thirrur, si të Krishterë Orthodhoksë, të besojmë se Krishti mposhti mëkatin dhe vdekjen, dhe që Triumfi i Tij është edhe i yni gjithashtu. Duke bashkuar veten tonë me Krishtin, ne zbulojmë që vdekja nuk ka fuqi mbi ne. Duke u bashkuar me Krishtin, ne zbulojmë se edhe ne mund të jetojmë jetën e përjetshme.
Nëse shikoni librin e shërbesave, në të cilat do të marrim pjesë, mund të duket e vështirë që brenda një jave do të mbarojmë gjithë ato qindra faqe. Si nënë, besoj se një planifikim i mirë mund të ndihmojë që Java e Madhe të jetë pa stres dhe të shijohet nga e gjithë familja. Mundësia për t’u ngazëllyer në Ngjalljen e Krishtit, pa i bërtitur anëtarëve të familjes çdo ditë sepse nuk kam qenë në humor apo se isha e stresuar, është një pjesë e rëndësishme e Javës së Madhe.
Kam pese këshilla që do të doja t’i ndaja me ju për t’ju ndihmuar që ta ruani Javën e Madhe si një kohë lutjesh dhe meditimi, në mënyrë që të jeni larg stresit në këtë javë. Sepse, të jemi të sinqertë, do të ketë gjëra që do t’i ndryshojnë planet tuaja, por siç kam mësuar duke jetuar këtu në Shqipëri: Avash-avash, dhe jini fleksibël!
Tip 1
Im bir është me naze në të ngrënë, dhe është një punë e madhe të përgatis vakte që të jenë të balancuara për të gjithë ne. Vakte që do të na japin energji, por jo të mbushura me sheqerna apo yndyrna. Çdo ditë bëj një listë të asaj që do të gatuaj për mëngjes, drekë dhe darkë. Gjatë Javës së Madhe, ideja e gatimit apo ngrënies para ose pas shërbesave të mbrëmjes më bën të ndihem e shqetësuar. Javën përpara Javës së Madhe përpiqem të bëj një listë të gjërave që do gatuaj, kur do t’i përgatis, dhe çfarë përbërësish do të më duhen për të gjitha vaktet. Mendoj se ky planifikim paraprak na ndihmon të hamë shëndetshëm, në vend që të presim momentin kur ikim nga Kisha për të menduar çfarë do të hamë për darkë, dhe të përfundojmë duke bërë një zgjedhje jo të shëndetshme për drekë apo darkë. Sonte, në facebook-un e Radio Ngjallja, shikoni për një postim që mund ta printoni për t’ju ndihmuar si të planifikoni përgatitjen e vakteve gjatë Javës së Madhe! Një drekë apo darkë e mirë për Javën e Madhe do të ishte: makarona me salcë domatesh dhe fasule, byrek me spinaq dhe pras ose me qepë e domate (për ditët kur nuk do të keni mundësi të gatuani), miks makaronash me perime dhe uthull, oriz dhe bathë (që është shumë Amerikane, por ka proteina), supë me perime (që mund të bëhet në një tenxhere të madhe dhe mund të hahet disa ditë), si dhe sanduiç me perime të ziera.
Një fëmijë i uritur në Kishë nuk do të qëndrojë mirë asnjëherë. Kështu, përpara se të shkojmë në Kishë, përpiqem që im bir të hajë një vakt të ndërmjetëm të mirë: kikirikë, fruta të thata, pak bukë dhe gjalpë kikiriku dhe shumë ujë! E di se nëse i jap gjëra të ëmbla ai do të jetë shumë energjik dhe do të dojë të vrapojë nëpër kishë. Sigurohem që ai të hajë diçka të shëndetshme përpara shërbesave, në mënyrë që të mos nevrikoset sepse është i uritur. Një tjetër gjë që bëj, është të marr ujë me vete dhe diçka të vogël për të ngrënë në rast se im bir do të ndihet i uritur gjatë shërbesës. Nëse djali im më thotë se do të hajë dhe nuk mund të presë deri në fund të shërbesës, shkojmë në Nartheks, tek shkallët, ose jashtë, dhe ai ha diçka shpejt e me kujdes.
Tip 2
Kjo na çon saktësisht tek tema tjetër. Për një fëmijë, nëse ata janë në humor të keq ose nuk mund të kontrollojnë veten, kjo ndodh për një nga dy arsyet: janë të uritur ose janë të lodhur. Kjo është e garantuar. Nëse ka diçka që kam mësuar dhe në të cilën kam dështuar këto tre vitet e fundit nga të qenit nënë, është se gjithmonë nënvlerësoj faktin se sa shumë ka nevojë për gjumë im bir. Unë dhe bashkëshorti im debatojmë shpesh për orarin e gjumit dhe të zgjimit të Moisiut. Unë jam e mendimit se nuk është problem nëse ai rri zgjuar deri vonë, por burri im është më i rreptë në këtë pjesë, dhe beson se nevojitet një orar i caktuar gjumi. Sigurisht, mundohemi të bëjmë kompromis në këtë pjesë, por është fakt që fëmijët kanë nevojë për gjumë. Madje, shumica e sjelljeve të këqija të tyre vjen si pasojë e mungesës së gjumit në oraret e përshtatshme.
Të gjithë fëmijët kanë një program me të cilin mësohen. Edhe ne, të rriturve, na pëlqejnë programet dhe rutina. Java e Madhe dhe Pashka do të na çojnë në limitet tona përsa i përket programeve dhe rutinës tonë. Vaktet tona nuk do të jenë në të njëjtën orë dhe programi i gjumit do të ndryshojë, sidomos natën e Pashkës. Por ka diçka, që ne, si nëna, mund të bëjmë. Mund të përpiqemi dhe sigurohemi që fëmijët tanë, pavarësisht moshës, të pushojnë dhe të flenë kur kthehen nga shkolla, përpara se të shkojnë në Kishë. Pas shkolle, në vend që të shkojnë për të luajtur jashtë apo të shohin televizor, të ketë rreth gjysmë ore kohë ku çdokush në familje të pushojë. Për fëmijët, madje dhe për të rriturit, kjo mund të jetë e vështirë. Diçka që mendoj se ndihmon është të lexojmë një libër që na përqendron te Krishti ose Shenjtorët. Edhe leximi i sinaksarit nga facebook-u i KOASH-it (kisha orthodhokse autoqefale e Shqipërisë) është diçka që mund të na qetësojë. Ideja është të pushojmë, në mënyrë që gjatë shërbesave të mos ketë një thyerje të energjisë (për ju apo fëmijët tuaj). Mendoj se kjo praktikë është gjithashtu e dobishme gjatë vitit, jo vetëm gjatë Javës së Madhe. Të qetësojmë mendjet dhe trupat tanë është e rëndësishme për shëndetin tonë në çdo moshë.
Tip 3
Për të qenë e sinqertë, ideja ime e shlodhjes pas një dite të gjatë e me angazhime është të rri shtrirë dhe të ndjek ndonjë program televiziv a të lexoj një libër. Bashkëshorti im, nga ana tjetër, parapëlqen të luajë ndonjë lojë kompjuterike. Mjafton që këto aktivitete nuk duan ndonjë përqendrim të madh dhe ndihmojnë në qetësimin e trurit. Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë të keqe të shohësh televizor, të merresh me celularin, të lexosh a të luash në kompjuter. Por çdo gjë e tepruar sjell dëmet e veta. Tashmë edhe Moisiu ka filluar të ketë shumë qejf të ndjekë filmat me kartona po të luajë lojëra në kompjuter. Mundohemi gjithmonë t’ia kufizojmë orët e qëndrimit para kompjuterit, por kur na qëllon të kemi ndonjë punë a projekt për të bërë, e kemi më të lehtë ta lëmë përpara ekranit për orë të tëra, ndërsa merremi me punët tona. Së fundmi ka filluar të zemërohet shumë kur nuk e lejojmë të shohë filmat e tij. Madje përplas këmbët në dysheme dhe fillon e ngre zërin. Vetëm tani po e kuptojmë se sa e keqe dhe e dëmshme është kjo vartësi që krijohet nga filmat apo lojërat. Dëmi i tyre nuk kufizohet as tek të rriturit.
Përgjatë javës së madhe, një nga gjërat që do duam të ndërmarrim si familje është kufizimi i orëve para ekranit. Këtë javë, unë dhe im shoq do mundohemi ta përdorim sa më pak telefonin. Faktikisht për ne nuk është aq e vështirë, pasi unë kam për të sistemuar shtëpinë, për të gatuar dhe për të shkuar në Kishë. Tim shoqi do t’i duhet të kalojë shumë kohë në kishë dhe duke punuar. Kjo gjë do të na bëjë të ndërgjegjësohemi për kohën e shumtë që na marrin telefonat. Kohën që do ta kalonim duke lundruar në Faebook, Instagram apo në Reddit, do ta kompensojmë duke lexuar ndonjë libër të krishterë, duke kaluar më tepër kohë me njëri-tjetrin ose edhe thjesht duke ndenjur në heshtje.
Do mundohemi të kufizojmë dhe kohën që kalon Moisiu duke parë filmat me kuklla. E dimë se sa shumë qejf i ka, por do ta nxisim të lexojë ndonjë libër, të ngjyrosë apo të luajë. Gjithashtu do të duhet t’ia them se kjo që po bëjmë nuk është e lehtë, por nevojitet për këtë periudhë në të cilën ndodhemi.
Një gjë tjetër që mendova të bëj, është që ta shpërblej djalin me ndonjë yll (nga ata që ngjiten), a herë që sillet mirë gjatë shërbesave. Nëse arrin të fitojë më shumë se pesë yje deri të Premten e Madhe, të Shtunën e Madhe, pas Liturgjisë, do ta lejojmë të shohë një film të bukur që të lidhet me temën e Pashkës.
Tip 4
Duke nisur që nga kjo e diel në mëngjes e deri të shtunën e ardhshme në mbrëmje, bëhen mbi 15 shërbesa përgjatë javës së Madhe. Gëzohem shumë vetë kur i mendoj, por nga ana tjetër më shqetëson përgjegjësia e madhe që kam që së pari, im bir të sillet mirë në kishë dhe së dyti, që të kuptojë se çfarë ndodh gjatë këtyre shërbesave.
Lavdi Zotit, ne, si të rritur që jemi, e dimë si duhet të sillemi në kishë. Por mendojeni pak se sa e vështirë mund të jetë kjo për të vegjlit tanë. Në çdo ambient tjetër ata janë të lirë të hulumtojnë ambientin përreth, të vrapojnë sa andej- këndej apo të luajnë kur të duan, ndërsa në kishë ne presim që të rrinë pa lëvizur si të ishin robotë.
Sipas mendimit tim, fëmijët mbeten fëmijë, megjithatë, është e domosdoshme t’i mësojmë se si duhet të sillen në kishë. Nuk kanë për të ndenjur si robotë. Mundet madje edhe të vrapojnë (për Moisiun kjo është e sigurt), të qajnë apo të bëjnë zhurmë, por kështu ata mësojnë nga gabimet e tyre. Por nëse askush nuk i mëson se çfarë ndodh gjatë shërbesave të Javës së Madhe dhe se çfarë kuptimi ka secila prej tyre, padyshim që nuk do të arrijnë të kuptojnë se përse kaluam nga të shkuarit në kishë një herë në javë, në të shkuarit çdo ditë, madje dhe nga dy herë në ditë.
Që t’u mësojmë fëmijëve për shërbesat e Javës së Madhe, nevojitet së pari t’i mësojmë ne vetë. Ashtu siç thotë dhe Kryepiskopi Anastas: “Ne gjithmonë kemi për të qenë studentë”. Pikësynimi im për veten por edhe për të gjithë ju prindërit, është që të mësojmë njëherë për vete kuptimin e çdo shërbese të Javës së Madhe, dhe më pas t’ua shpjegojmë dhe fëmijëve.
Tip 5
Së fundmi, gjatë Javës së Madhe, më duket shumë e lehtë të krahasoj atë që bëj unë me atë që bëjnë të tjerët. Pse nuk ishte ajo me fëmijët sot në Kishë? Çfarë është më e rëndësishme se Kisha? Pse e lejojnë fëmijën të sjellë atë gjë në Kishë? Pse nuk e mendova që ta sillja këtë gjë për djalin tim për në Kishë? Pse nuk po rri ulur dhe me qetësi im bir si ai djali tjetër atje? Pyetjet janë të pafundme. Por ky tundim është një tundim i cili mund të luftohet. Ne tundohemi gjithmonë të krahasojmë veten tonë me ata që na rrethojnë. Është edhe diçka që ndodh shpesh në shoqëri, mjafton të shikosh posterat në rrugë që tregojnë një person pa të meta, me rrobat më të bukura. Çfarë mendojmë? Si mund të bëhem si ajo?
Këtë Javë të Madhe, si nëna, le të mos e krahasojmë veten tonë me të afërmit tanë, por me Nënën e Zotit. Le ta vëmë në zbatim dashurinë e saj në jetët tona. Le të pasqyrojmë durimin dhe vetë-kontrollin e saj ndërsa shkojmë deri në limitet tona emocionalisht dhe mendërisht. Le të drejtohemi tek ajo dhe t’i lutemi kur jemi të shqetësuar.
Punëdore: Mbajtësja e qirinjve
Më pëlqen shumë të ndjek faqe të ndryshme të nënave apo familjeve orthodhokse në rrjetet sociale. Njëra prej tyre është dhe Summer Michelle Kinard. Së fundmi ajo postoi një fotografi të këndit të lutjes që ka rregulluar për fëmijët e saj. Tani e kuptoj se nuk qenkam e vetmja që kam frikë kur fëmijët luajnë me zjarrin apo qirinjtë e ndezur. Në vijim do të mësojmë një mënyrë të sigurt që fëmijët tanë të praktikojnë se si vendosen qirinjtë dhe të luten. Mora idenë e saj dhe e përshtata sipas mundësive që ne kemi në shtëpi, pra krijimin e një ene që të përshtatet për të mbajtur qirinj, të cilën fëmijët mund ta përdorin ndërkohë që themi lutjet.
Nevojiten:
Një enë apo kuti (në rastin tonë ne përdorëm një vazo të vjetër lulesh)
Oriz ose rërë
Pipa, shkopa (si shkopat e akullores) ose diçka të tillë të ngjashme, që të shërbejë si bazamenti i “qirinjve”.
Letër ose shajak me ngjyrë
Gërshërë
Përgatitja:
Orizin ose rërën hidheni në enën apo kutinë që do të përdorni, deri sa ta mbushni pothuajse deri në grykë. Letrat ose shajakun priteni në formë gjuhëzash zjarri që t’i përdorni si flakë për qirinjtë. Më pas, merrni shkopinjtë apo çfarëdo tjetër që do të shërbejë si bazamenti i “qirinjve”, dhe në majë të tyre ngjitni (qoftë me ngjitës letër, të lëngët ose kapëse letrash) flokëzat e qirinjve.
Nxitini fëmijët tuaj që për çdo qiri që do të vendosin tek mbajtësja, të thonë nga një lutje, qoftë kjo edhe lutje e thjeshtë si “Mëshiro o Zot” apo lutje personale për ndonjë person apo diçka të veçantë. Gjithashtu, mos harroni t’u thoni atyre se mund të vendosin qiri kur të duan ata, në çdo moment të ditës. Kjo do t’u vlejë atyre për të kujtuar se mund të luten në çdo kohë.
Recetë: Hallva e Lazarit
Këtë të shtunë ne përkujtojmë dhe kremtojmë Ngjalljen e Lazarit. Moisiut i pëlqen veçanërisht momenti kur pas katër ditësh qëndrimi në varr, Jisui vjen dhe i thërret atij: “Llazar, ngrihu!” Jam e bindur se im bir do ta përsërisë shumë herë këtë shprehje gjatë të shtunës.
Doja të ndaja me ju edhe një recetë të cilën mund ta përgatisni këtë ditë, në kujtim të Ngjalljes së Llazarit.
Çdo ditë gjatë Javës së Madhe, do të ndaj me ju në radio, dhe në facebook-un e Radio Ngjallja, këshilla, mësime, receta dhe punëdore që mund t’i bëni me familjet tuaja për ta bërë Krishtin dhe Kishën e tij qendrën e jetës tuaj gjatë kësaj periudhe të Shenjtë. Lutem që të keni një javë të bekuar, me fuqi, dashuri dhe durim!
Comments