Në të Dielën V të Kreshmëve kremtojmë kujtimin e shën Marisë së Egjiptit. Përveç kësaj dite, këtë shenjtore e kremtojmë dhe në dt. 1 Prill. Shën Maria është një shenjtore të cilën nevojitet patjetër ta njohim dhe, në një farë forme apo në një tjetër, të shohim se si jeta e saj lidhet me tonën.
Javën e kaluar folëm për hapat që duhet të ndërmarrim për të qenë më pranë Perëndisë, por edhe për hapat e gabuar (gabimet dhe mëkatet), të cilat na largojnë prej Tij.
A e dinit se të gjithë njerëzit-madje dhe shenjtorët- gabojnë?
A e dinit se sa shumë faje kishte Shën Maria e Egjiptit dhe se sa jetë mëkatare kryente, derisa një mrekulli e nxiti të ndryshonte mënyrën e jetesës?
L të lexojmë historinë e saj
Le të dëgjojmë pra historinë e saj, të përshtatur posaçërisht për fëmijë. Këtë histori e shpërndau priftëresha Fredrica Matthews- Green, dhe e shkruan atë Thomas Moore dhe A.Prince.
Rreth 500 vjet pas Ngjalljes së Zotit tonë, në një manastir pranë lumit Jordan jetonte një murg me emrin Zosima. Ai kishte ndjekur rrugën e murgjërisë që në moshë të vogël, dhe kur arriti në moshën 50 vjeçare filloi të mendonte se tashmë i kishte kaluar të gjithë murgjit e tjerë në virtyt dhe nuk kishte asnjë që t’i mësonte ndonjë gjë të re për jetën shpirtërore. Që një mendim i tillë krenar të mos e helmonte zemrën e tij, Perëndia e lejoi që t’i jepej një mësim i mirë.
Në manastirin e tij, ishte zakon që në fillim të Kreshmës së Madhe, pas Mbrëmësores së Faljes të Dielën e të Lidhurit të Djathit, secili nga murgjit shkonte përtej lumit Jordan dhe endej në shkretëtirë deri të Dielën e Dafinave. Për murgjit kjo shërbente si kohë personale me Perëndinë, në lutje dhe agjërim, pa pasur asnjë njeri rrotull, që t’i përgëzonte për kreshmën e rreptë.
Kështu, edhe atë Zosima eci për shumë ditë në shkretëtirë. Në ditën e 20-të të kreshmës, ndërsa ndaloi diku për t’u lutur, pa dikë me trup njeriu. Fillimisht pandehu se ishte djalli që po mundohej t’i ngrinte ndonjë kurth, dhe u mbrojt duke bërë shenjën e kryqit. Mirëpo pastaj e pa qartë personin: e dobët dhe lakuriq, me lëkurë të nxirë nga dielli dhe flokë të thinjur, që mundohej të fshihej. Duke menduar se bëhej fjalë për një njeri të shenjtë, ai nxitoi ta ndiqte pas duke thirrur: “Shërbëtor i Perëndisë, mos u largo prej meje, mëkatarit!”
“Më fal”- ia ktheu,-“por nuk mund të dal përballë teje, atë Zosima, sepse jam grua pa asnjë rrobë në trup. Më hidh të lutem mantelin tënd që të mbulohem, sepse dua të kërkoj bekimin tënd.”
Murgun e pushtoi tmerri kur ajo përmendi emrin e tij, pa e njohur asnjëherë më parë. Duke u kthyer nga ana tjetër, hoqi mantelin dhe e hodhi në drejtim të saj.
Më pas, të dy shenjtorët i bënë metani njëri tjetrit në përulësi të thellë, duke kërkuar bekimin nga njëri-tjetri. Më në fund gruaja tha: “Atë Zosima, të takon ty të më bekosh, pasi të është dhënë Hiri i Priftërisë dhe ke shërbyer në altarin e shenjtë.”
I befasuar nga njohja e thellë hyjnore që kishte ajo për të, atë Zosima iu lut me lot: “Bekomë, o nënë e shenjtë. Hiri nuk i jepet vetëm priftërinjve, por aq më tepër atyre që kanë mohuar botën dhe jetojnë më Perëndinë. Të lutem, për Hir të Zotit, bekomë sepse kam shumë nevojë për lutjet e tua.” Duke u bindur, gruaja foli: “I bekuar është Perëndia që kujdeset për shpëtimin e shpirtrave tanë.”
“Amen.”- u përgjigj atë Zosima.
Pas kësaj, ajo e pyeti se përse kishte ardhur deri aty dhe se si jetonin të krishterët në botë. Ai i tregoi se Krishti i paqësonte dhe i jepte hir, dhe i kërkoi të mos reshtte së luturi. Pasi i kujtoi edhe ajo se as ai nuk duhet t’i ndërpriste lutjet, u kthye me fytyrë nga Lindja. Ai arriti të dëgjojë vetëm disa pëshpëritje nga lutjet e saj dhe ia nguli sytë tokës. Kur e pa se lutjet e saj po zgjatnin shumë, u kthye dhe mbeti pa gojë kur pa shenjtoren të ngritur në ajër, në lartësi rreth një metër nga toka. U përkul deri në tokë u përlotur nga mëshira e madhe e Perëndisë, që e lejoi të shihte një shfaqje të tillë, dhe iu përgjërua t’i tregonte historinë e jetës së saj, për përfitim shpirtëror, që të mos mbetej më i fshehur një thesar i tillë.
“Historia ime,- tha gruaja,- Do të bëjë të duash të më largohesh si prej ndonjë gjarpri. Të më falësh për gjithçka që do të dëgjojnë veshët e tu, sepse kam pasur një jetë të turpshme. Që në moshën 12 vjeçare u largova nga prindërit dhe humba dëlirësinë time. Më pas i shkoja ditët duke u shoqëruar me njerëz mëkatarë. Më pëlqente të pija verë, të ndieja kënaqësi e të drejtoja këdo që të mundesha në mëkat. Kështu jetova për 17 vjet.
Një ditë pashë një grup që po bëheshin gati për të shkuar në Jerusalem. Meqë pará nuk kisha, u kërkova disa burrave që nëse më lejonin të shkoja bashkë me ta, do t’u jepja kënaqësi gjatë udhëtimit. Ata ranë dakord.
Pak ditë pasi mbërritëm, pashë një turmë të madhe njerëzish që po nxitonin për në kishë, për festën e Lartësimit të Kryqit, siç më thanë kur pyeta. Iu bashkova grupit të tyre thjesht nisur nga kurioziteti. Por kur mbërrita tek dera e kishës, një forcë misterioze ma tërhiqte trupin prapa, dhe nuk më linte të hyja përtej pragut të erës, megjithëse u mundova disa herë. Si u lodha, i lashë njerëzit e tjerë të më shtynin dhe u ula në një cep, aty ku ndizeshin qirinjtë. Përballë meje ishte një ikonë e nënës së Perëndisë. Duke e parë me vëmendje, fillova të kuptoj se ishte pikërisht llumi i jetës sime mëkatare ai që po më pengonte të hyja.
Kështu, e mbytur në lot, iu afrova ikonës dhe iu luta me përgjërime Hyjlindëses, që të më lejonte të hyja e t’i falesha Kryqit jetëdhënës, duke i premtuar se do të bëja më pas gjithçka që do të më kërkonte ajo.
Pas kësaj lutjeje, e pata shumë të lehtë të kaloja pragun e derës dhe pashë Kryqin e shenjtë. Aty kuptova mëshirën e madhe të Perëndisë, që pranon këdo që i afrohet me pendim . E mbushur me këtë shpresë, u ktheva përsëri tek ikona e Hyjlindëses dhe dëgjova një zë të dilte prej saj: “Nëse shkon përtej Jordanit, do të gjesh prehje.”
‘O Zonjë e Tërëshenjtë, mos më braktis kurrë!’- thashë mes ngashërimeve, dhe u nisa. Dikush më dha tri monedha, me të cilat bleva tri bukë. Me Hirin e Zotit, ato më shërbyen si ushqim për shumë vite, ndërsa përgjatë këtyre 47 viteve jam ushqyer me Fjalën e Perëndisë dhe me bimët që gjeja këtu rrotull.
Por vetëm sikur ta dinit, o atë, sa mendime mëkatare më kanë sulmuar e torturuar gjatë gjithë kësaj kohe! Këngë të turpshme, dëshira për të shijuar verë dhe ushqime të tjera të shtrenjta, shoqëria ime negative etj. Rrobat m’u tretën e m’u bënë copë dhe kam vuajtur shumë nga i ftohti i natës dhe i nxehti i ditës. Kaq shumë tundim kisha që t’i kthehesha jetës sime të mëparshme. Por sa herë më sulmonin mendimet, kujtimi im kthehej gjithnjë tek Hyjlindësja e Shenjtë. Ajo më paqësonte dhe m’i largonte mendimet e këqija”. Kështu shenjtorja e mbylli historinë e saj, duke i kërkuar ava Zosimës të lutej për shpirtin e saj, e të mos i tregonte askujt për të, derisa ajo të ikte nga kjo botë.
Vitin e ardhshëm, sipas marrëveshjes që kishin bërë, atë Zosima u kthye të Enjten e Madhe në shkretëtirë për ta kunguar me Misteret e Shenjta. Ajo e kaloi lumin Jordan duke ecur në sipërfaqen e tij, sikur të ishte tokë e thatë, dhe takoi atë Zosimën që e priste nga ana tjetër e lumit.
Pasi e kungoi, ai premtoi se do të kthehej përsëri vitin e ardhshëm.
Kështu, pas një viti, si u largua nga manastiri për kanonin e Kreshmës së Madhe, ai e pa shenjtoren në të njëjtin vend ku ishin ndarë. Ajo ishte shtrirë e vdekur, e mbuluar me mantelin e tij dhe me fytyrën të kthyer nga Lindja. Kishte shkruar emrin e vet në rërë, gjithashtu edhe disa udhëzime për mënyrën se si donte të varrosej. Gjithashtu kishte shkruar edhe datën e vdekjes. Ajo kishte fjetur pikërisht një vit më parë, pasi kishte marrë Kungatën e Shenjtë.
Atë Zosima nuk po dinte se si ta varroste shenjtoren, pasi nuk kishte as mjetet e nevojshme, por ndërkohë që po i mendonte këto, u duk befas një luan, i cili zuri të gërmonte dheun me putrat e tij. Duke mbuluar këmbët e shenjtores me lot dhe të puthura, ai e përcolli me lutje.
Më pas, luani u largua nëpër shkretëtirë dhe atë Zosima u kthye përsëri në manastir, ku u tregoi të gjithë vëllezërve historinë e saj, e cila u tregua brez pas brezi deri në ditët tona, për të shpallur lavdinë e Perëndisë dhe për t’u dhënë shpresë të gjithëve atyre që bien në mëkat.
Diskutim
· Si e quanin personin që gjeti shën Marinë e Egjiptit?
Emri i tij ishte atë Zosima.
· Ҫfarë zakoni ndiqnin murgjit në ditën e parë të Kreshmëve të mëdha? Pse?
Ata shpërndaheshin nëpër shkretëtirë, ku qëndronin deri të Dielën e Dafinave. Këtë e bënin për të mos gjykuar apo lavdëruar njëri-tjetrin për ushtrimet shpirtërore përgjatë kohës së Kreshmës së Madhe.
· Nga e kuptoi atë Zosimai se Maria ishte e shenjtë?
Ai e kuptoi këtë që kur ajo e thirri në emër ndonëse nuk e kishte njohur asnjëherë më parë.
· Çfarë jete bënte Maria në kohën e rinisë së saj? A jetonte një jetë më Krishtin apo një jetë mëkatare?
Kur ishte e re, Maria i shkoi pas tundimeve dhe u largua nga jeta më Krishtin.
· Si ndodhi që ajo pati një kthesë kaq të madhe në jetën e saj?
Kur të gjithë të tjerët arritën të hynin në kishë, ndërkohë që ajo nuk mundej dot, kuptoi se kjo ishte si rezultat i jetës së saj mëkatare.
· Çfarë bëri ajo që të mund të hynte brenda në kishë?
Ajo u pendua thellë. I kërkoi falje nënës së Zotit dhe premtoi se me ndihmën e saj, do ta ndryshonte rrënjësisht jetën e saj, duke u larguar nga zakonet e këqija.
· Si arrinte shenjtorja të citonte vargje biblike ndërkohë që ajo nuk e kishte lexuar më parë Shkrimin e Shenjtë?
Ajo pohoi se vetë Perëndia ia kishte vënë ato fjalë në gojën e saj.
· Çfarë i kërkoi Maria atë Zosimës?
Ajo i kërkoi atij që t’i sillte Kungatën e Shenjtë.
· Çfarë ndodhi pasi Maria u kungua me Misteret e Shenjta?
Ajo i kërkoi atë Zosimës që të kthehej përsëri vitin e ardhshëm.
· Ҫfarë ndodhi pas një viti? Kush e ndihmoi atë Zosimën?
Kur u kthye përsëri vitin e ardhshëm, atë Zosima gjeti trupin e pajetë të shenjtores. Ajo kishte dhënë shpirt që pasi u kungua me Misteret e Shenjta. Meqë vetë atë Zosima ishte shumë i moshuar dhe i pafuqishëm dhe nuk mundej dot ta hapte gropën e varrit, aty u shfaq një luan që e ndihmoi ta varroste shenjtoren.
· Me ndihmën e kujt arriti Maria të largohej nga jeta e saj mëkatare?
Me ndihmën e Perëndisë.
· Po ne, kush mund të na ndihmojë të largohemi nga gabimet dhe mëkatet tona?
Perëndia nuk na e kursen asnjëherë ndihmën e Tij. Gjithashtu mund t’i lutemi shenjtorëve të ndryshëm, si për shembull shën Marisë së Egjiptit, që të na ndihmojnë në këtë sfidë. Padyshim që një ndihmë të madhe mund të na japin dhe ata që kemi pranë: prindërit, gjyshërit apo vëllezërit/motrat etj.
Mesim
Dalëngadalë po i afrohemi fundit të Kreshmës së Madhe, dhe po i afrohemi Pashkës. Uroj që kjo kohë të na ketë vlejtur të gjithëve për t’u afruar sa më tepër me Zotin e për t’u përpjekur të përmirësojmë veten. Por, nuk duhet të harrojmë se asnjëri prej nesh nuk është i përsosur. Nuk do të ndodhë që gjithmonë të marrim vendimet e duhura, apo që çdo aspekt i jetës të na shkojë shkëlqyeshëm, sado që të përpiqemi. Gabimet janë diçka e paevitueshme për natyrën njerëzore, e megjithatë Perëndia na thërret pareshtur në pendim, në një jetë Krishtqendrore. Kemi edhe shembullin e shën Marisë Egjiptiane, e cila e ndryshoi krejtësisht jetën e vet, duke vënë Krishtin në qendër të saj.
Kur mundohemi të ndihmojmë fëmijët tanë të mos gabojnë, na këshillon ava Dorotheu i Gazës: “Mos tregoni indinjatë kur e shikoni që është bërë një gabim, por duke ruajtur qetësinë, tregoni se çfarë dëmi ka sjellë ai gabim. Nëse ju duhet të kritikoni dikë, mundohuni të gjeni kohën e duhur dhe momentin e duhur. Mos jini shumë të rreptë edhe për gabimet më të vogla. Jini më të hapur. Kritika e vazhdueshme, përveç se bëhet tepër e bezdisshme, shkakton dhe pandjeshmëri e mospërfillje. Mos i jepni urdhrat në formë të prerë, por me përulësi dhe duke e ndjerë vëllanë. Fjala e thënë në formë të tillë ka më tepër efekt tek personi që po mundohemi të ndreqim.”
Një mënyrë që ne ndjekim kur duam t’i flasim Moisiut për gabimet dhe ndreqjen e tyre, është duke treguar disa nga vështirësitë që kemi kaluar edhe ne vetë. Këto mund të variojnë nga mosdalja në përfundime të gabuara kur përballemi me një konflikt, por të folurit me mirësjellje dhe dashuri, mosngrënia e tepërt e ushqimeve të shpejta (Fast Food), por përkujdesja për trupin tonë dhe ushtrimet e rregullta fizike, etj. Nuk do t’i ndihmonte aspak fëmijët tanë sikur ne thjesht të përpiqeshim t’u tregonim që jemi superiorë ndaj tyre, apo të përpiqemi të dukemi të përsosur në sytë e tyre, pasi fundja kjo nuk është e vërtetë. Atyre i bën mirë të kuptojnë se të gjithë kemi sfidat dhe gabimet tona, dhe se jemi në një udhëtim të vazhdueshëm shpirtëror, në përpjekje për të përsosur veten dhe për të jetuar një jetë Krishtqendrore.
Punëdore: Lër dhe Nis
Për këtë punëdore nevojiten: 2 fleta, ngjitës, gërshërë dhe marker-a ose bojëra dhjami.
Këtë punëdore do ta lidhim me jetën e Marias Egjiptiane, e cila jetonte në mëkat kur ishte e re, por pastaj u pendua dhe filloi një jetë të re më Krishtin. Kujtojmë se secili prej nesh mund të pendohet në çdo kohë, e të largohet nga sjelljet e këqija.
1. Njërën nga letrat kthejeni në mënyrë horizontale dhe në të shkruani: “Shën Maria Egjiptiane- lër dhe nis.
2. Më poshtë shkruani këtë varg biblik: “ Pendohuni, sepse u afrua Mbretëria e qiejve” (Mattheu 3:2).
3. Tek letra tjetër vizatoni dy drejtkëndësha (me brinjë nga 10 dhe 5 cm) dhe pritini.
4. Dy format e prera i ngjisni në fund të fletës së parë por kini kujdes mos t’i vini ngjitëse në pjesën e sipërme të drejtkëndëshave, që të mund të ngjisni edhe fletë të tjera mbi të.
5. Në njërin drejtkëndësh shkruani “Lër”.
6. Në drejtkëndëshin tjetër shkruani “Nis”.
7. Në letrën tjetër (tek ajo nga e cila pretë drejtkëndëshat) pritni edhe 10 rripa të hollë, rreth 1 cm. Të gjerë dhe 4 cm. Të gjatë.
8. U thoni fëmijëve ose studentëve të shkruajnë në to 5 sjellje negative nga të cilat duhet të largohen, që të jenë më pranë Zotit. Gjithashtu, mendoni edhe për fajin e shën Marisë së Egjiptit. Shpjegojuni atyre se përsosmëria nuk arrihet dot brenda një nate, por hap pa hapi (kujtoni hapat që përmendëm javën e kaluar)
a. Disa ide që shkroi Moisiu ishin: ha shumë ëmbëlsira, bërtas, shikoj filma vizatimorë, nuk u kushtoj vëmendje mamit dhe babit, bëj rrëmujë.
b. Padyshim që në moshën 4 vjeçare që është, Moisiu nuk do të ndalojë së bëri të gjitha këto që shkruan. Por ama ai e di se këto që bën nuk janë të sakta, dhe do të mundohet t’i ndreqë. Një herë më tha se sa herë shikon ëmbëlsira e çokollata mendon se sa shumë do donte që të mos i hante kaq shumë, por ja që janë kaq të mira! Hapi i parë në të kuptuarit e një gabimi është të jemi të ndërgjegjshëm që ai ekziston në jetën tonë. Në asnjë moshë nuk mund të themi se fëmijët tanë janë shumë të vegjël për ta kuptuar këtë.
9. Inkurajojini fëmijët ose studentët që të shkruajnë edhe 5 gjëra të tjera që mund të bëjnë për t’ju afruar më tepër Perëndisë. Gjatë kësaj kohe mendoni edhe për jetën që bëri shën Maria për sa kohë qëndroi në shkretëtirë. Padyshim, nuk nevojitet të shkojmë në vende të shkreta për të qenë më afër Zotit, por mund ta arrijmë këtë edhe në përditshmërinë tonë, me anë të sjelljeve dhe veprimeve të duhura.
a. Disa ide të Moisiut ishin: të bëhem djalë hieroreje, të them lutjet, të dëgjoj me vëmendje, të flas me zë të butë dhe të ha fruta e perime.
b. Këto ide ishin vërtet shumë të mira. Ai tashmë e kupton se është shumë e lehtë të bësh gjërat që të pëlqejnë apo ato që nuk kanë ndonjë vështirësi. Gjithashtu e kupton se të bësh gjënë e duhur, për të ardhur më pranë Krishtit, ndonjëherë mund të jetë e vështirë dhe të kërkojë shumë kontroll të vetvetes. Por prandaj udhëtimi ynë për në Mbretërinë e Perëndisë është pikërisht siç thamë: Udhëtim.
Receta
Do të doja ta mbyllja duke propozuar një sfidë për ju.
Këtë javë, mundohuni të shkoni diku në natyrë bashkë me familjen tuaj, në një vend ku nuk ka shumë njerëz, qoftë në park, apo ngjitje në mal. Ndërsa jeni aty, mendoni se si do të ishte të jetoje në një vend të tillë për 47 vjet, krejtësisht i vetëm. Diskutoni për jetën e shën Marisë Egjiptiane, gjithashtu për qetësinë e madhe të vendit ku ndodheni, dhe se sa më e lehtë është të komunikosh me Perëndinë në një vend të tillë, larg zhurmave.
Do të doja të ndaja me ju disa fjalë të arkimandritit Nektarios Antropoulos, të marra nga linri i tij “Kthimi” (Return):
“Kur shkojmë t’i tregojmë plagët doktorit, përmendim dhembjen apo turbullimin që na shkaktojnë ato, ose sëmundjen tonë, pa i mbajtur asgjë të fshehur. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Misterin e Rrëfimit. Hapim shpirtrat dhe rrëfejmë plagët dhe dhimbjet që fshihen në to. Nëse nuk veprojmë kështu, shpirtrat mbeten të pamjekuar, dhe kështu plaga qelbëzohet, aq sa mund të na shkaktojë edhe vdekjen. “
Ndërsa ecim drejt javës së fundit të Kreshmës, që i paraprin Javës së Madhe të Shenjtë, programojeni të shkoni në Misterin e Rrëfimit bashkë me familjen tuaj, dhe tregoni pendim, ashtu siç bëri dhe Shën Maria e Egjiptit, që më pas të mund të kremtojmë dhe të marrim pjesë në gëzimin e madh të Pashkës. week, I want you to go with your family into nature, somewhere where there are not a lot of people. Maybe it is the park, a mountain, or on a hike. While you are there talk about how it would be to live there for 47 years all alone. Discuss the story of St. Mary of Egypt. Also discuss how quiet it is and how it is much easier to be with God in nature and in silence.
Comments